Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha gjatë fjalës së tij në Kuvend ka deklaruar se marrëveshja e huasë mes Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim të Abu Dhabi-t, e cila ndodhet në Kuvend për miratim, ka si objektiv rritjen e nivelit të sigurisë kombëtare në vend, monitorimin e akseve rrugore dhe të gjithë territorit.
Sipas Hoxhës, ky prpojekt synon përmes teknologjisë, uljen e numrit të veprave penale, uljen e numrit të shkeljeve të qarkullimit rrugor dhe uljen e numrit të aksidenteve.
Projekti ka kaluar deri më tani në disa etapa, duke përfshirë hapat kyç në zhvillimin e tij dhe sfidat e hasura gjatë procesit.
Ky projekt është në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022–2030, ku një ndër qëllimet strategjike është fuqizimi i rendit publik dhe rritja e parametrave të sigurisë në komunitet.
Në këtë projekt, zë një vend të rëndësishëm edhe aplikimi i inteligjencës artificiale.
“Ky sistem i ri që duam të aplikojmë, është në të njëjtin hap me disa nga qytetet më të zhvilluara në botë. Koncepti i “Smart City-t”, pra "Qytetit Inteligjent", do të përdoret për herë të parë në Shqipëri dhe përfitues do të jetë drejtpërdrejt ose tërthorazi e gjithë shoqëria shqiptare.
Ajo çka do të jetë e dukshme për sytë e publikut, do të jenë kamerat me rezolucion shumë të lartë, radarët në rrugë, sensorët e ndryshëm përfshirë edhe ata për zhurmat si dhe pajisje të tjera inteligjente. Ky projekt është vërtet një risi teknologjike për ne, por njëherësh një mundësi e jashtëzakonshme për vendin tonë për sigurinë rrugore dhe atë publike.
Aplikimi i risive teknologjike, përdorimi i pajisjeve të fjalës së fundit të shkencës, sjell logjikisht edhe rritje të cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve. Tashmë kundërvajtjet në rrugë do të analizohen nga një program kompjuterik, pa pasur nevojë të debatojnë ekspertët e qarkullimit rrugor”, deklaroi Hoxha.
/rtsh.al/