RTSH 24 Live

Rajon

Marrëveshja në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, Shtëpia e Bardhë: Nisni menjëherë zbatimin

19/03/2023

Marrëveshja në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, Shtëpia e Bardhë: Nisni menjëherë zbatimin

Shtëpia e Bardhë ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE për normalizimin e marrëdhënieve.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në SHBA, Adrienne Watson tha se palët duhet të nisin menjëherë zbatimin e kësaj marrëveshje që është e mbështetur jo vetëm nga BE por edhe SHBA.

“Ne mirëpresim marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga SHBA-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe u bëjmë thirrje të dyja palëve që të fillojnë zbatimin e detyrimeve të tyre sa më shpejt të jetë e mundur”, shkruan Watson në twitter.

Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier tha se SHBA do të ofrojnë mbështetje të plotë për zbatimin e këtyre detyrimeve që do sigurojnë stabilitet për rajonin.

“Është arritur marrëveshje e rëndësishme. Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje të plotë për zbatimin e këtyre detyrimeve në përputhje me përpjekjet tona afatgjata për të avancuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin për popullin e Kosovës dhe të rajonit”, shkruan Hovenier në twitter.

Në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët ranë dakord të zbatojnë marrëveshjet e arritura mes tyre, si dhe Kosova të nis përgatitjet për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, një nen që shihet si referencë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Një tjetër dakordësi është arritur edhe për personat e zhdukur gjatë luftës, ndërsa për monitorimin e  të gjitha pikave të aneksit të marrëveshjes do të ngrihet një Komitet të Përbashkët Monitorues që do të kryesohet nga BE-ja.

Edhe pse nuk u firmos një marrëveshje, palët pas 12 orësh bisedime në Ohër arritën marrëveshje të zbatonin propozimin e BE për normalizimin e marrëdhënieve.

/rtsh.al/