RTSH 24 Live

Rajon

Marrëveshja Kosovë-Serbi për targat/ Borrell: Shmangëm përshkallëzimin e tensioneve! Price: Të normalizohen marrëdhëniet

24/11/2022

Marrëveshja Kosovë-Serbi për targat/ Borrell: Shmangëm përshkallëzimin e tensioneve! Price: Të normalizohen marrëdhëniet

Mbrëmjen e së mërkurës (23 nëntor) Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për çështjen e targave. Lajmi u bë me dije fillimisht nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian Josep Borrell i cili shkroi se Kosova dhe Serbia do të mundësojnë shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm lidhur me çështjen e konvertimit të targave serbe.

“Sot arritëm një marrëveshje mes #Kosovës dhe #Serbisë që do të mundësojë shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm. Do të diskutojmë hapat e ardhshëm në kuadër të propozimit tonë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve”, shkroi Borrelli.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka falënderuar dy kryenegociatorët për marrëveshjen e arritur për targat.

“Sonte falënderoj Bisljima Besnik dhe Petar Petkoviq për angazhimin e tyre konstruktiv sot. Dhe një falënderim i madh për Departamentin e Shtetit dhe diplomacinë amerikane për mbështetjen e tyre të paçmuar”, shkroi Lajçak në Twitter.

Marrëveshje e firmosur mes Kosovës dhe Serbisë nga kryenegociatorët e dy vendeve, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian përmban ndalimin e lëshimit të targave nga Serbia me emërtimet e qyteteve të Kosovës, ndërsa kjo e fundit do të ndërpresë ndalimin e automjeteve serbe në kufi për riregjistrim të tyre. Kjo marrëveshje është përshëndetur dhe zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price.

Shtetet e Bashkuara mirëpresin marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve dhe për t'u përqëndruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën patronazhin e dialogut të lehtësuar nga BE”, shkroi Price.

Negociatori i Kosovës, Besnik Bislimi ka bërë me dije se sipas marrëveshjes së arritur, Serbia do të pushojë së lëshuari tabela të regjistrimit me emërtimet e  qyteteve të Kosovës, ndërsa Kosova do të ndalojë së vendosuri gjoba.

Negociatori i palës serbe në dialogun Kosovë-Serbi, Petar Petkoviç deklaroi se nga e enjtja nuk do ketë gjoba 150 euro për targat dhe as politika ndëshkuese lidhur me riregjistrimin e mjeteve.

Në kuadër të asaj për të cilën insistonte Beogradi, këtu në godinën e shërbimit të politikës së jashtme të BE-së, pas shtatë orësh, dhe shihni është terr, negociata të vështira, ia kemi dalë që të arrijmë marrëveshje. Kjo marrëveshje do të thotë se s’ka kurrfarë politika ndëshkuese të Albin Kurtit ndaj serbëve që ngasin vetura me targa KM. Me këtë marrëveshje, nesër prej orës 8, nuk ka kurrfarë gjobash prej 150 eurosh që i planifikoi Albin Kurti, siç nuk ka as kurrfarë politika ndëshkuese në fazat e tjera që ishin pjesë e vendimit të Albin Kurtit lidhur me procesin e riregjistrimit”, tha Petkoviç.

/rtsh.al/