RTSH 24 Live

Kosovë

Marrëveshja Kosovë – Serbi, Blinken: Do të vazhdojmë të mbështesim avancimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor

20/03/2023

Marrëveshja Kosovë – Serbi, Blinken: Do të vazhdojmë të mbështesim avancimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mirëpriti pajtueshmërinë e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

Përmes një deklarate përgëzon presidentin e Serbisë dhe Kryeministrin e Kosovës për lidershipin e tyre në arritjen e kësaj marrëveshjeje.

“Përmbushja e obligimeve sipas Marrëveshjes Bazë, si pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm për pajtim, do të ofrojë mundësi të mëdha për njerëzit në dy shtetet dhe do të përshpejtojë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, shkruhet në deklaratën e Blinken, publikuar më 19 mars 2023.

Më tej nënvizohet se SHBA do të mbetet e angazhuara në mënyrë aktive, në koordinim me partnerët e BE-së, për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë që të punojnë drejt një marrëdhënieje të parashikueshme dhe paqësore.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim avancimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”, tha Blinken.

Më 27 shkurt 2023, Kosova dhe Serbia u pajtuan për propozimin evropian për normalizimin e raporteve.

Më 18 mars 2023, pas 12 orësh bisedimesh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç u pajua për aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Nuk pati një nënshkrim dokumenti nga palët, por, shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se ata janë zotuar të respektojnë të gjitha pikat e planit evropian për të cilin janë pajtuar që më 27 shkurt në Bruksel.

Gjithashtu Borrell tha se të dyja dokumentet konsiderohen të miratuara përmes deklaratës së tij dhe se marrëveshja do të jetë pjesë e procesit të integrimeve të të dyja palëve në Bashkimin Evropian.

Palët janë pajtuar që të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente dhe zbatimin e nenit 7 të planit ku parashihet që Kosova të nisë menjëherë negociatat për të siguruar një shkallë të duhur të vetmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme.

/rtsh.al/