RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Maqedonisë e Veriut, fillon votimi në zgjedhjet lokale

17/10/2021

Maqedonisë e Veriut, fillon votimi në zgjedhjet lokale

Për herë të shtatë që nga shpallja e pavarësisë e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991, qytetarët e atij vendi u janë drejtuar këtë të dielë kutive të votimit për të zgjedhur krerët e 80 komunave dhe anëtarët e këshillave komunalë si dhe ata për shkupin , që është që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.
Të drejtë vote, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, (KSHZ) kanë 1,824.864 qytetarë, të cilët për herë të parë votojnë me sistemin e ri biometrik që siguron identifikimin e votuesve përmes gjurmëve të gishtave. Qytetarët po votojnë duke zbatuar masat për mbrojtjen nga koronavirusi, si mbajtja e maskave, distance dhe dezinfektimi. Vendvotimet janë hapur në orën 7 të mëngjesit dhe pritet të mbyllen në orën 19: të pasdites. Rezultatet do të shpallen në faqen elektronike të komisionit shtetëror të zgjedheve.  Për kryetarë të komunave garojnë 299 kandidatë dhe 10,600 kandidatë për 577 anëtarë këshillash komunalë. Për shkupin garojnë 12 kandidatë. Zgjedhjet mbahen me dy raunde zgjedhore. Nëse asnjëri nga kandidatët nuk merr mbi 50 për qind të votave në raundin e parë, atëherë në raundin e dytë të 31 tetorit kalojnë dy kandidatët që kanë arritur të marrin numrin më të madh të votave në raundin e parë. Gara kryesore në këto zgjedhje zhvillohet mes dy blloqeve politike; LSDM-së dhe BDI-së që janë në pushtet dhe partive opozitare VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Partitë shqiptare garën do ta zhvillojnë për qytetet me shumicë shqiptare, si Tetovë, Gostivar, Çair, Kërçovë, Strugë, Dibrë si dhe disa komuna rurale. 
Beteja mes partive maqedonase është përqendruar në qytetet e mëdha si Shkupi, Manastiri, Prilepi, Ohri, Velesi, Shtipi, dhe komunat tjera më të vogla. 
Shumica e komunave aktualisht drejtohen nga Lidhja Social - Demokrate e kryeministrit, Zoran Zaev ndërsa komunat me shumicë shqiptare nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Për mbikqyrjen e zgjedhjeve janë angazhuar 1,100 vëzhguesi vendorë dhe 217 vëzhgues nga OSBE. Në të gjitha vendvotimet do të ketë pjesëtarë të forcave policore për sigurimin e procesit të rregullt zgjedhor. Të shtunën, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar të burgosurit, të moshuarit me sëmundje kronike, personat me invaliditet si dhe të infektuarit me koronavirus. NDërkohë, mediat lokale raportojnë se të shtunën policia arrestoi katër persona që dyshohen për shpërndarje parash  për blerje votash