RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Maqedonia e Veriut– Qeveria do të përballet me votë mosbesimi

09/11/2021

Maqedonia e Veriut– Qeveria do të përballet me votë mosbesimi

Parlamenti  Maqedonisë së Veriut do të votojë të enjten për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së drejtuar nga socialdemokratët.

Votimi u caktua nga kryetari i parlamentit Talat Xhaferi të hënën, njoftuan mediat e Maqedonisë së Veriut.

Mocioni u propozua nga kreu i opozitës, Hristijan Mickoski i partisë së krahut të djathtë VMRO-DPMNE.

Kryeministri Zoran Zaev njoftoi dorëheqjen e tij një javë më parë pasi socialdemokratët (LSDM) pësuan një humbje të thellë në zgjedhjet lokale. Megjithatë, ai ende nuk ka dhënë dorëheqjen zyrtarisht.

LSDM gjithashtu humbi postin e kryetarit të bashkisë së Shkupit ndaj kandidatit të mbështetur nga e djathta.

Sipas Mickoskit, opozita tani ka një shumicë të vogël në parlament prej 61 nga 120 ligjvënës.

Faktori vendimtar është ndryshimi i premtuar i pozicionimit nga partia e vogël shqiptare “Besa”, e cila aktualisht është aleate e koalicionit në kabinetin e Zaevit.

Nëse mocioni i mosbesimit kalon të enjten në parlament, presidenti Stevo Pendarovski do të duhet të emërojë një politikan tjetër që mund të drejtojë një shumicë në parlament për të formuar një qeveri të re. Vëzhguesit besojnë se ka gjasa që as Mickoski dhe as socialdemokratët të mos kenë sukses. Kjo do të sillte zgjedhje të reja.