RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Maqedonia e Veriut njofton heqjen e vizave dalëse për muslimanët në kryerjen e Haxhit në Arabinë Saudite

16/05/2023

Maqedonia e Veriut njofton heqjen e vizave dalëse për muslimanët në kryerjen e Haxhit në Arabinë Saudite

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar se në një seancë të saj ka miratuar vendimin për heqjen e vizave dalëse për besimtarët muslimanë të vendit në kryerjen e Haxhit në Arabinë Saudite.

Lajmi është dhënë në rrjetet sociale nga Zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

Vendimi është marrë për “kryerjen më të lehtë të obligimit fetar të besimtarëve muslimanë” të Maqedonisë së Veriut.

“Qeveria me kujdes do të ndjekë udhëtimin e haxhinjve dhe do të jetë e hapur për çfarëdo lloj ndihme që atyre do t’ju nevojitet nga institucionet shtetërore”, shkruan zoti Grubi.

Shkuarja në Haxh e besimtarëve të Maqedonisë së Veriut organizohet nga Bashkësia Fetare Islame (BFI) e vendit.

Më herët ajo njoftoi se këtë vit nga vendi për në Arabinë Saudite do të udhëtojnë gjithsej 2.030 haxhinj. Për kryerjen e detyrimeve fetare ata do të paguajnë 6.550 euro. Në to përfshihet transporti, akomodimi, ushqimi, sigurimi shëndetësor, taksat dhe marrja e vizës dalëse.

Sipas BFI-së, me vendimin për heqjen e vizave dalëse do të lehtësohet puna e myftinive të vendit të cilët tani e tutje nuk do të kenë nevojë të mbushin formularë dhe dokumente për të aplikuar për viza dalëse që kanë kushtuar vetëm 150 denarë.


/ rtsh. al /