RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Maqedonia e Veriut në pritje të një hapi nxitës politik nga Bullgaria

14/12/2021

Maqedonia e Veriut  në pritje të një hapi nxitës politik nga Bullgaria

Këshilli për Çështje të Përgjithshme, që do të zhvillohet sot në Bruksel, pritet të japë mesazhin se bllokada e integrimeve evropiane për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është e padrejtë, e pajustifikueshme dhe krijon mosbesim në mbarë rajonin.

Në këtë takim priten hapa politikë nxitës nga të gjithë anëtarët e Unionit, në radhë të parë nga Republika e Bullgarisë, por edhe nga partnerët e tjerë në BE.

Sofja do të përfaqësohet nga kryeministri i ri Kiril Petkov, i cili sipas njoftimeve do të mbrojë pozicionin kornizë të Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut, të përcaktuar edhe  nga qeveria teknike, atë për fillimin e negociatave aderuese vetëm për Shqipërinë, por jo edhe për Maqedoninë e Veriut

Ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, e theksoi këtë çështje, në takimin e ministrave të Jashtëm nga Ballkani Perëndimor, që u mbajt me ftesë të sekretares së  Jashtme britanike, Liz Truss.

Të ftuar specialë në takim ishin përfaqësuesi special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stewart Peach, përfaqësuesi special i BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar.

”Bllokada e integrimeve evropiane për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është e pasaktë, e paarsyeshme dhe kjo krijon mosbesim në gjithë rajonin. Nevojiten hapa të guximshëm politikë nga të gjithë anëtarët e Unionit, para së gjithash nga Republika e Bullgarisë, por edhe nga partnerët tjerë në BE-së. Këtu, natyrisht, llogaris në gatishmërinë tonë për kompromise të sinqerta, me qëllim mbylljen e këtij kapitulli dhe hapjen e perspektivave për Maqedoninë e Veriut dhe për gjithë rajonin. Jam i bindur se kjo është mënyra më e thjeshtë dhe sigurisht, për momentin, mënyra e vetme me të cilin mund të krijohet një moment i ri evropian dhe euroatlantik në Ballkan”, tha Osmani.

Në këtë drejtim, Osmani e përshëndeti vendimin e qeverisë britanike për emërimin e të Dërguarit Special të Mbretërisë së Bashkuar të ngarkuar për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Stewart Peach duke e vlerësuar atë si një akt që do të kontribuojë në përmirësimin e stabilitetit dhe prosperitetit rajonal si dhe për promovimin e institucioneve të fuqishme demokratike dhe shoqërive të hapura.

Zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve, si dhe sfidat rajonale dhe perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, ishin temë e diskutimit në takimin e ministrit Osmani me Truss.

Osmani dhe Truss konstatuan se Ballkani Perëndimor luan rol të rëndësishëm për stabilitetin dhe përparimin e përgjithshëm të Evropës dhe integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian është një interes i ndërsjellë gjeostrategjik nga pikëpamja politike, e sigurisë dhe ajo ekonomike.

Bashkëbiseduesit konstatuan se në rajon është e domosdoshme të intensifikohet angazhimi dhe prania e Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, gjë që do të
kontribuonte në arritjen e qëllimit të përbashkët – një rajon i qëndrueshëm dhe prosperues.

Perspektiva evropiane dhe euroatlantike mbeten forca kryesore lëvizëse për transformimin e të gjitha vendeve të rajonit në shoqëri të zhvilluara demokratikisht dhe ekonomikisht dhe në këtë drejtim hapja e negociatave të anëtarësimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian do të ndikojë pozitivisht për stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të të gjithë kontinentit.

Ndërkohë, parlamenti bullgar zgjodhi dje qeverinë e kryeministrit Kiril Petkov.

”Qëndrimi i Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut mbetet i pandryshuar”, njoftoi Petkov të shtunën, gjatë prezantimit të propozimeve për qeverinë e tij.

”Megjithatë, ky pozicion duhet të përmirësohet që të jetë në dobi për të dyja vendet”, shtoi Petkov.

Pritet që kryeministri i ri bullgar të mbrojë qëndrimin kornizë të Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut, të miratuar nga qeveria teknike, që përkrah fillimin e bisedimeve aderuese të Shqipërisë me BE-në, por jo të Maqedonisë së Veriut./ ATSH