RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Maqedonia e Veriut, masa të reja për frenimin e Covid-19

06/04/2021

Maqedonia e Veriut, masa të reja për frenimin e Covid-19

Vala e re e virusit me variantin e ri britanik të Covid-19 nuk krahasohet me valët e kaluara, pasi ai është shumë më i rrezikshëm, ndërsa te të sëmurët dhe gjendja po përkeqësohet papritmas, madje edhe pas kontaktit të parë, prandaj është thelbësore që të kufizohet numri i kontakteve, deklaroi dje në mbërmje  kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaevi.

Qeveria pas takimit të rastit mori vendimin për kufizime të reja për shkak të situatës së krijuar.

Zaev njoftoi se nga sot hyn në fuqi ora policore në periudhën kohore nga ora 20:00-05:00 dhe se kjo masë do të zgjasë deri më 20 prill, në prag të motit të ngrohtë dhe festave, me synim që “të pushojnë punonjësit shëndetësorë të cilët natë e ditë janë në betejë për shpëtimin e jetëve të pacientëve”.

Kryeministri Zaev po ashtu theksoi se nga 7 prilli do të mbyllen edhe kafenetë, restorantet, klubet e fitnesit dhe pikat e basteve.

Kafenetë do të mund të kryejnë vetëm shërbime me dërgesa, ndërsa nga kjo masë përjashtohen objektet hotelierike në të dy aeroportet në vend si dhe hotelet dhe motelet të cilat në restorantet e tyre do të mund t’u shërbejnë vetëm mysafirëve të tyre.

Në orët e ndaluara për lëvizjen e qytetarëve do të përjashtohen personat që do të vaksinohet të cilët do të mund të kthehen në shtëpi me vërtetim për imunizim, bujqit që lëvizin nga fushat deri në tregje dhe anasjelltas, si dhe personat e tjerë me leje të posaçme të lëshuar nga autoritetet.

Nga masat e mëparshme, mbetet në fuqi ndalesa për grupimin e më shumë se katër personave.

Numri i të vdekurve nga fillimi i pandemisë në Maqedoninë e Veriut është 3 940, ndërsa numri i rasteve aktualisht është 21 630.