RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Maqedonia e Veriut do të ketë në pak muaj kryeministrin e parë shqiptar

14/03/2023

Maqedonia e Veriut do të ketë në pak muaj kryeministrin e parë shqiptar

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani në një tubim partiak të BDI-së në Çair, kujtoi pritmërinë politike që vendi të realizojë në pak muaj kryeministrin e parë shqiptar. Duke kërkuar reflektim nga banorët e këtij rajoni për pozitën e shqiptarëve më parë dhe ku janë sot, mediat maqedonase raportojnë që ministri shqiptar ka paralajmëruar konfigurimin e premtuar vite më parë se një shqiptar pritet të jetë në krye të qeverisë për disa muaj. "Kemi qeverinë e cila është në pritje të kryeministrit të parë shqiptar pas disa muajsh. Aktualisht janë 18 ministra, prej të cilëve 9 janë shqiptarë" tha zoti Osmani.

Një sërë arritjesh sipas Osmanit flasin për një politikë të suksesshme duke nisur nga presidenti konsensual që e udhëheq ushtrinë me vulë në gjuhën shqipe. Sukseset janë sidomos të matshme kur i referohen nivelit kur ato nisën. "Të kujtojmë pak, ishim jashtë shkollave, jashtë universiteteve, jashtë spitaleve, jashtë sporteleve... Kishim një polici etnike që stërviste policë të rinj në kurrizin e shqiptarëve. Nuk është rastësi që ky këshill vendor quhet “6 Nëntori”. Ne ishim një komb pa gjuhë, pa flamur, pa dinjitet dhe krenarë për atë që ishim" tha  zoti Osmani.

Ministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut e renditi suksesin politik të shqiptarëve atje si pjesë të politikës shqiptare në rajon. " Le të kthehemi këtu ku jemi tani dhe të bëjmë ndryshimin dhe të fillojmë nga lart - poshtë. Sot kemi një Kuvend që gjashtë vitet e fundit udhëhiqet nga shqiptarët. Në fakt, ne kemi tre parlamente në rajon që tani zhvillohen në gjuhën shqipe" tha zoti Osmani. 

Marrëveshja për kryeministër shqiptar u arrit midis liderit të dikurshëm të LSDM-së dhe ish kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020.

Ata ranë dakord që në 100 ditët e fundit të Qeverisë para zgjedhjeve, kryeministri të jetë shqiptar, edhe pse mbeti e paqartë nëse ky do të jetë kryeministër teknik konform Marrëveshjes së Përzhinës ose kryeministri shqiptar do të jetë 6 muaj para zgjedhjeve.

/ rtsh /