RTSH 24 Live

Rajon

Maqedoni e Veriut, ulet numri i rasteve të reja me Covid-19

28/12/2020

Maqedoni e Veriut, ulet numri i rasteve të reja me Covid-19

Maqedonia e Veriut njofton zvogëlim të numrit të rasteve të diagnostikuara të reja pozitive me Covid-19 si dhe të numrit të njerëzve që marrin trajtim spitalor.

Ajo ka regjistruar edhe një numër të madh personash të shëruar, shpesh më shumë se numri i të infektuarve të rinj.

Sidoqoftë, përkundër kësaj tendence të qetësimit të lehtë pandemik, pothuajse 20 vdekje regjistrohen çdo ditë.

Autoritetet vazhdimisht bëjnë thirrje për respektimin e masave dhe rekomandimeve mbrojtëse, veçanërisht në pritje të festave të ardhshme të Vitit të Ri dhe të Krishtlindjeve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski deklaroi sot se MPB-ja ka një plan të veçantë operativ se si të veprojë gjatë pushimeve.

“Nëse vërtetohet se një ngjarje e organizuar po ndodh vërtet, Prokurori Publik njoftohet dhe ne do të veprojmë në përputhje me ligjin”, shpjegoi Spasovski.

Ministria e Shëndetësisë informoi se në 24 orët e fundit janë bërë 1 253 teste, ndërsa janë regjistruar 296 raste të reja me Covid-19.

Kanë vdekur 18 persona, ndërsa janë shëruar 511 pacientë.

Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve që nga fillimi i epidemisë është 81 721, numri i pacientëve të shëruar është 59 231, numri i viktimave 2 445, ndërsa numri i rasteve aktive është 20 045.