RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Maqedoni e Veriut, rritet ndjeshëm çmimi i energjisë elektrike

31/12/2021

Maqedoni e Veriut, rritet ndjeshëm çmimi i energjisë elektrike

Nga 1 janari 2022, çmimi i energjisë elektrike për familjet maqedonase do të rritet për 9,48 për qind, ndërsa do të hiqet edhe tarifa e lirë gjatë ditës.

Komisioni Rregullator i Energjisë dhe Shërbimeve Ujore (KRRE) paralajmëroi se fundi i janarit ose fillimi i shkurtit do të vendosë tarifa bllok me të cilat do të sigurohet konsumi i energjisë me çmim më të ulët.

Njëkohësisht, qeveria në mbledhjen e djeshme miratoi Programin për Konsumatorët e Ndjeshëm të Energjisë për vitin 2022, me të cilin parashikohet që kategoritë më të ndjeshme të njerëzve me të ardhura të ulëta të cilët nuk marrin ndihmë të garantuar, të kenë ulje të faturës mujore për energjinë e shpenzuar elektrike prej 600 ose 800 dinarë në muaj, varësisht madhësisë së familjes.

Pas vendimit të KRRE-së, kryeministri Zoran Zaev në një shkrim në Facebook vlerësoi se edhe në kushte të krizës botërore energjetike, shteti arriti të parandalojë shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe ta aktivizojë prodhimtarinë vendore për zbutjen e goditjeve të çmimeve.

“Solidariteti i të gjithë aktorëve në sektorin e energjisë elektrike, reduktimi i shpenzimeve dhe kursimi është me rëndësi të madhe. Nuk do të ketë kufizime për energjinë elektrike. Të gjitha objektet e prodhimit vendas të energjisë elektrike janë në funksion të përballjes me sukses të krizës energjetike’’, shtoi ai.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, nga ana e tij, dje njoftoi se me këtë Program duhet të përfshihen rreth 7 500 familje në kohëzgjatje prej 12 muajsh.

Ndihma financiare do t’u jepet individëve nëse të ardhurat e tyre të rregullta mujore nuk i kalojnë të ardhurat neto, për familje të vetme deri në pagën minimale.