RTSH 24 Live

Kronika

Mandati i tretë, Rama premton: Taksa zero, pagë minimale 30 mijë lekë dhe dyfishim të ndihmës ekonomike!

23/02/2021

Mandati i tretë, Rama premton:  Taksa zero, pagë minimale 30 mijë lekë dhe dyfishim të ndihmës ekonomike!

Kryeministri socialist Edi Rama ka premtuar hapa të rinj në fushën e ekonomisë në ndihmë të popullatës dhe biznesit. Duke folur në konferencën e përjavshme “Ekonomia në Fokus”, ai premtoi taksa zero, pagë minimale 30 mijë lekë dhe dyfishim të ndihmës ekonomike. "Është një stacion e një rruge që vazhdon, nuk është një shumë për të pritur duartrokitje apo lëvdata, por shumë sfiduese, qoftë për subjektet që përfitojnë këtë pagë, qoftë për ne që duam ta rrisim përfitimin e tyre..." tha zoti Rama.
"Kush gjykon mandatin tonë të dytë dhe do të jap një mendim objektiv duhet të mos harrojnë që ka qenë mandati më i jashtëzakonshëm në histori, sepse gjysma e këtij mandati ka qenë në luftë me 2 fatkeqësi të jashtëzakonshme dhe siç po dalim fitimitar nga lufta me tërmetin, duke i shëruar hap pas hapi plagët që hapi tërmeti ashtu do të dalim edhe nga kjo luftë verbale" tha zoti Rama. 
Kryeministri socialist sulmoi programin ekonomik të PD në opozitë, duke u ndalë veçmas tek taksa e sheshtë.“Pala tjetër ripredikon taksën e sheshtë duke kërcënuar faktikisht më të dobëtit me rikthimin në kohën kur 100% e bizneseve paguanin tatim-fitimi 10% dhe TVSH, ndërkohë që sot 91% e bizneseve paguajnë 0% tatim-fitimi dhe 0 TVSH. Dhe vetëm 9% e tyre, flas për biznesin e madh në këtë rast, paguajnë 15% tatim-fitimi. Ndërkohë brenda 91% janë faktikisht 111 mijë biznese me rreth 300 mijë persona të punësuar" ishin shifrat që solli si argument zoti Rama.