RTSH 24 Live

Aktualitet

Manastirliu në spitalin Covid 4: Të bashkohemi për të mbrojtur shëndetin e njëri-tjetrit

23/11/2020

Manastirliu në spitalin Covid 4: Të bashkohemi për të mbrojtur shëndetin e njëri-tjetrit
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka vizituar sot ambientet në spitalin Covid4, në aksin Tiranë-Durrës, i cili është gati për t’u hapur, me ezaurimin e kapaciteteve në tre spitalet Covid. Nga aty, Manastirliu u ka bërë apel qytetarëve që të sakrifikojnë pak nga normaliteti i tyre në mbështetje të bluzave të bardha. “Kush është patriot, zbaton rregullat dhe kufizon kontaktet”, tha ministrja e Shëndetësisë teksa iu referua ditëve të festave të Nëntorit.

“Kapacitetet tona që tashmë i kemi ngritur dhe janë gati që në momentin që duhet, për t’u vënë në funksion. Numrat në rritje të rasteve të infektimeve dhe sigurisht numrat në rritje të rasteve në spitale, tashmë duke qenë se edhe spitali Covid3 është tërësisht me të gjitha kapacitetet i hapur në pritje të trajtimit dhe shërbimit të qytetarëve, edhe spitali Covid4 gjithashtu do të vendoset në një kohë të shpejtë në dispozicion të pacientëve për trajtimin e Covid19, me ezaurimin e kapaciteteve të 3 spitaleve Covid”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi nga spitali Covid4 se po përgatiten edhe spitalet rajonale për përballimin e situatës së epidemisë.

“Kjo nuk është një periudhë e lehtë, e cila po shoqërohet me rritje të numrit të rasteve, ndaj vendosja në dispozicion e kapaciteteve të reja dhe përgatitja për hapjen e spitalit COVID4 vjen si përgjigje për përballjen e situatës. Nga ana tjetër edhe spitalet rajonale po përgatiten dhe tashmë strukturat janë ngritur, personeli është trajnuar, aparaturat biomjekësore janë vënë në dispozicion”, tha Manastirliu. /rtsh.al