RTSH 24 Live

Aktualitet

Manastirliu: Brenda javës vijnë 11.700 vaksina Pfizer

04/05/2021

Manastirliu: Brenda javës vijnë 11.700 vaksina Pfizer

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi se brenda javës do të mbërrijnë në Shqipëri edhe 11.700 doza të tjera të vaksinës Pfizer. Gjatë fjalët së saj në Kuvend Ministrja Manastirliu deklaroi se objektivi është të realizohen 1 milion vaksinime. "Do të kemi brenda javës 11.700 doza vaksinash Pfizer. Do të vijojmë furnizimin me 90 mijë doza vaksinash nga kontrata me Pfizer. Të gjitha këto përpjekje janë materializuar nga një punë kapilare në të gjithë vendit. Falë kësaj pune kemi arritur në objektivin e parë me 500 mijë vaksinimeve dhe jemi të vendosur për kryerjen e 1 milion vaksinimesh" deklaroi Manastirliu. 

Ministrja Manastirliu i ka kërkoi qytetarëve të dëgjojnë autoritetet shëndetësore, për të kryer sa më parë vaksinën anticovid që ju ofrohet. “Është e rëndësishme që të dëgjoni autoritetet shëndetësore. Fakti që sot janë mbi 400 mijë gjyshe, gjyshër, prindër të vaksinuar, të çliruar nga barra e rëndë e izolimit të këtyre muajve, duhet të na bëjë të gjithëve akoma më të përgjegjshëm, për rëndësinë që ka vaksinimi i shpejtë, për të siguruar mbrojtjen ndaj virusit të rrezikshëm; për të marrë pa mëdyshje, vaksinën e parë që ju ofrohet. Sepse çdo kohë e fituar, është një jetë e shpëtuar”, tha Manastirliu.

Teksa nënvizozi se situata epidemiologjike në vend paraqitet e kontrolluar, ministrja  bëri thirrje qytetarëve, që të vijojnë të zbatojnë rregullat antiCOVID.“Është fakt se tashmë kemi një përgjysmim të incidencës dy javore për 100 mijë banorë dhe ka një rënie të ndjeshme të shtrimeve në spitale nga javët që lamë pas. Edhe pozitiviteti është ulur dhe është tashmë 4% mesatarisht. Ekspertët tanë të Komitetit Teknik janë duke vlerësuar në mënyrë dinamike masat, por gjithçka do të varet nga ecuria e epidemisë. Çlirimi gradual i jetës social-ekonomike duhet medoemos të shoqërohet nga masat e distancimit fizik, vendosjen e maskës dhe mbajtjen e higjienës, në mënyrë që të mos bëjmë hapa mbrapa dhe të vijojmë të vendosur përpara në këtë kilometër të fundit drejt kthimit në normalitetin aq shumë të dëshiruar”, tha Manastirliu.

Vaksinimi masiv ka vijuar me kalendar të kombinuar në të gjithë vendin për personat mbi 60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 518,679 doza të vaksinës ndaj COVID19, prej të cilave mbi 419,246 vaksinime për persona mbi 60 vjeç.