RTSH 24 Live

Kronika

Mallra pa akcizë, arrestohen 9 tregtarë dhe doganierë

21/01/2021

Mallra pa akcizë, arrestohen 9 tregtarë dhe doganierë

Finalizohet operacioni i koduar “Rinas Ekspres”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë

Arrestohen 9 shtetas, nga këta 5 tregtarë dhe 4 doganierë, konkretisht B.K., 29 vjeç, A. L., 42 vjeçe, Q. L., 46 vjeç, L. L., 62 vjeçe, dhe A. L., 37 vjeç ( me aktivitet tregtar biznes privat).

Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë shtetasit B.K., 55 vjeç, me detyrë shef sektori në Sektorin Operacional Terminal Rinas (përgjegjës turni); Th. N., 24 vjeç, me punë doganier në aeroportin e Rinasit, me detyrën kontroll në skaner pranë kontrollit fizik; M.L., 36 vjeç, me detyrën e vëzhguesit si doganier i fizikut; E.S., 62 vjeçe, me detyrën e vëzhguesit si doganier i fizikut.

Pas hetimeve të kryera më parë dhe informacioneve të grumbulluara u bë e mundur që tregtarët e sipërpërmendur të kapeshin në flagrancë në rrugën Rinas-Kashar, duke transportuar mallra kontrabandë, pasi kishin kaluar regjimin doganor të pikës kufitare Rinas, duke mos e deklaruar mallin dhe duke shmangur tërësisht detyrimet doganore.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasi të konsiderueshme veshmbathjesh, këpucë, një sasi aparatesh celularë dhe tre automjete që transportonin mallrat kontrabandë.