RTSH 24 Live

Botë

Lufta në Ukrainë/ Sa i rrezikshëm dhe serioz është kërcënimi bërthamor i Putinit?

22/09/2022

Lufta në Ukrainë/ Sa i rrezikshëm dhe serioz është kërcënimi bërthamor i Putinit?

Fjalimi i presidentit rus, në të cilin ai shpalli një "mobilizim të pjesshëm" të forcave të armatosura të vendit të tij, është përshkallëzimi më i madh që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Sigurisht që nuk është hera e parë që një president rus përdor gjuhë të ashpër dhe kërcënime kundër Perëndimit. Megjithatë, ndryshimi i habitshëm midis njoftimeve aktuale dhe atyre të mëparshme, sipas analistëve ndërkombëtarë, është se Putin tani duket se ka për qëllim që çdo fjalë që thotë të jetë në lidhje me mundësinë e një përshkallëzimi bërthamor.

Shprehja karakteristike e presidentit rus "nuk po bëj blof" dhe theksimi i faktit se ai do të përdorë "çdo mjet për të mbrojtur integritetin territorial të zonave nën pushtimin rus në Ukrainë", duket se të jetë veçanërisht shqetësuese për komunitetin ndërkombëtar.

Deklaratat e Putinit shkojnë përtej doktrinës klasike bërthamore të Rusisë, e cila mbron përdorimin e parë të armëve bërthamore në kushtet e luftës konvencionale, vetëm në rast se vetë ekzistenca e shtetit kërcënohet”, thekson Andrei Baklitsky, një studiues në Programi i Shkatërrimit në masë dhe Armëve të Tjera Strategjike në Institutin për Kërkimin e Çarmatimit.

Analisti rus i politikës Mark Galeotti këmbëngul se kërcënimet bërthamore të Putinit ishin të paprecedentë, por vë në dyshim nëse lideri rus është i gatshëm t'i zbatojë kërcënimet e tij, të cilat në mënyrë efektive do të nënkuptonin luftë bërthamore.

Arsenali bërthamor i Rusisë në numër

Armët bërthamore ekzistojnë për gati 80 vjet dhe shumë vende i konsiderojnë ato si një mjet që vazhdon të garantojë sigurinë e tyre kombëtare.

Të gjitha shifrat për armët bërthamore të Rusisë bazohen në vlerësime, por sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, Rusia ka 5,977 koka bërthamore, pajisjet që shkaktojnë një shpërthim bërthamor, megjithëse kjo përfshin rreth 1,500 që janë të vjetra  dhe do të jenë shpërbërë.

Nga rreth 4500 të mbetura, shumica konsiderohen armë bërthamore strategjike, raketa balistike ose raketa me rreze të gjatë. Këto janë armët që lidhen më së shpeshti me luftën bërthamore.

Pjesa tjetër janë armë bërthamore më të vogla, më pak shkatërruese për t'u përdorur në rreze të shkurtra në fushat e betejës ose në det.

Ekspertët vlerësojnë se rreth 1500 koka bërthamore ruse janë aktualisht " të vendosura ", d.m.th. të vendosura në bazat e raketave dhe bombarduesve ose në nëndetëse në det.

Pjesa tjetër e vendeve me armë bërthamore

Nëntë vende posedojnë armë bërthamore: Kina, Franca, India, Izraeli, Koreja e Veriut, Pakistani, Rusia, SHBA dhe Britania e Madhe.

Kina, Franca, Rusia, SHBA dhe Britania e Madhe janë ndër 191 shtetet që kanë nënshkruar Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT). Sipas marrëveshjes, këto vende duhet të zvogëlojnë rezervat e tyre të kokave bërthamore dhe, në teori, të angazhohen për eliminimin e plotë të tyre.

Dhe numri i kokave bërthamore të ruajtura në këto vende është zvogëluar që nga vitet 1970 dhe 1980. India, Izraeli dhe Pakistani nuk iu bashkuan kurrë NPT-së, ndërsa Koreja e Veriut u tërhoq në 2003.

Izraeli është i vetmi vend nga nëntë që nuk e ka pranuar kurrë zyrtarisht programin e tij bërthamor, por pranohet gjerësisht se ka koka bërthamore. Ukraina nuk posedon armë bërthamore./ CNN.gr

/rtsh.al/