RTSH 24 Live

Kulturë

Lufta në Ukrainë, Festivali Evropian i Këngës 2023, do të zhvillohet në Britaninë e Madhe

25/07/2022

Lufta në Ukrainë, Festivali Evropian i Këngës 2023, do të zhvillohet në Britaninë e Madhe

Festivali Evropian i Këngës, Eurovision Song Contest 2023, do të zhvillohet në Britaninë e Madhe, në mesin e vitit të ardhshëm. Këtë vendim kanë marrë organizatorët e festivalit, pasi shqyrtuan se ngjarja më e madhe muzikore evropiane nuk mund të mbahet në vendin fitues të edicionit të kaluar, në Ukrainë, për shkak të luftës së vazhdueshme aty, pas pushtimit të Rusisë. Në një njoftim për shtyp të EBU-së theksohet se, vendimi u mor “me keqardhje, pasi u pa i pamundur për arsye sigurie, zhvillimi i festivalit në Ukrainë”.

Paçka se vitin e kaluar edhe vetë presidenti Zelensky deklaroi i sigurt se festivali do të zhvillohej në Maripuol, në një Ukrainë të lumtur dhe të integruar. Dhe ndaj u vendos që të zhvillohet në vendin që, në garën e edicionit të kaluar, fitoi vendin e dytë.

Ka reaguar menjëherë për ngjarjen edhe kryeministri britanik, Boris Jonson, i cili ka shkruar në Twitter se “President Zelensky, televizioni publik ukrainas dhe unë, ramë dakord që kudo që të mbahet  Eurovision 2023, ai duhet të nderojë vendin dhe popullin e Ukrainës. Duke qenë se ne tani jemi mikpritësit, MB do ta respektojë këtë premtim drejtpërdrejtë dhe do të organizojë një festival fantastik në emër të miqve tanë ukrainas’ përfundon mesazhi i Boris Jonson.

Ndërkohë që partner i festivalit do të jetë BBC, një prej transmetuesve publikë më me përvojë të Evropës.

Drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie, ka reaguar menjëherë me fjalët: “Keqardhje e madhe që kolegët dhe miqtë tanë në Ukrainë nuk janë në gjendje të organizojnë Eurovision Song Contest 2023. Por të presësh garën më të madhe muzikore dhe më komplekse në botë është një privilegj i madh. Jam i bindur se së bashku do të jemi në gjendje të shtojmë frymën ukrainase në këtë ngjarje dhe të bashkojmë edhe një herë të gjithë Evropën rreth vlerave tona të përbashkëta të paqes, mbështetjes, festës së diversitetit dhe talentit.', u shpreh shefi i BBC.

"Ne u jemi mirënjohës partnerëve tanë të BBC që treguan solidaritet me ne," ka komentuar edhe Mykola Chernotytskyi, kreu i transmetuesit publik të Ukrainës, UAPBC, duke shtuar se: “Eurovision Song Contest 2023 vërtet nuk do të jetë në Ukrainë, por do të jetë në mbështetje të Ukrainës”.

Nuk dihet ende se cili qytet britanik do të presë festivalin, por deri tani kanë shprehur interes qytetet: Glasgow, Manchester dhe Bristol. Gara mes tyre do të hapet këtë javë.

Ndërkohë që kënga “Stefania”, e grupit nga Ukraina, Kalush Orchestra, që triumfoi edicionin e kaluar Eurovizionin, do të kalojë automatikisht në finale e madhe bashkë me 4 shtete të tjera sponsorë të festivalit, mes të cilave edhe vendi pritës, Britania e Madhe.

/rtsh.al/