RTSH 24 Live

Botë

Lufta në Ukrainë, ambasadori rus në Britani, Andrei Kelin, paralajmëron për përshkallëzim

27/05/2023

Lufta në Ukrainë, ambasadori rus në Britani, Andrei Kelin, paralajmëron për përshkallëzim

Rusia ka paralajmëruar se furnizimi me armë i Ukrainës nga ana e perëndimit, rrezikon të përshkallëzojë luftën në nivele të papara deri më tani. Andrei Kelin, ambasadori i Rusisë në Mbretërinë e Bashkuar, i tha BBC-së se vendi i tij kishte "burime të mëdha" dhe se ende nuk "po vepronte shumë seriozisht".

Vërejtjet e tij vijnë pavarësisht se pas më shumë se një viti luftimesh, ka shumë dëshmi për krime lufte nga ana e rusëve. Duke folur ekskluzivisht për BBC, Kelin paralajmëroi për një "dimension të ri" të luftës.

Ai këmbëngul se Rusia ende "nuk ka filluar të veprojë shumë seriozisht". Ambasadori tha se "Rusia është 16 herë më e madhe se Ukraina. Ne kemi burime të mëdha."

Kohëzgjatja e konfliktit, tha ai, "varet nga përpjekjet për përshkallëzimin e luftës që po ndërmerren nga vendet e NATO-s, veçanërisht nga Britania e Madhe".

Ai shtoi: "Herët a vonë, sigurisht, ky përshkallëzim mund të marrë një dimension të ri që ne nuk kemi nevojë dhe nuk e duam. Ne mund të bëjmë paqe që nesër."

Komentet e ambasadorit erdhën në kohën kur një nga zyrtarët më të lartë të sigurisë të Ukrainës, Oleksiy Danilov, i tha BBC-së se vendi është gati që të nisë kundër-ofensivën e pritur prej kohësh kundër forcave ruse.

Por pretendimi i zotit Kelin se Rusia ka "burime të mëdha" në dispozicion për të luftuar, bien ndesh me raportimet e shumta në terren se forcat ruse janë të pajisura dobët dhe pa trajnimin e duhur.

Paralajmërime kanë ardhur edhe nga kreu i grupit mercenar Wagner i Rusisë, Yevgeny Prigozhin, i cili ka qenë i përfshirë shumë në konflikt. BBC

/rtsh.al/