Lufta kundër kancerit të gjirit dhe mbledhja e donacioneve për të blerë protezave të silikonit për gratë që i kanë humbur gjinjtë e tyre në këtë betejë ishin kryefjala e fushatës së “Race for the cure” që këtë të shtunë mblodhi mbështetësit e kësaj kauze për të vrapuar në shenjë sesibilizimi.
Kësaj kauze sot ju bashkuan edhe mjekë që nuk nguruan të japin këshillat e tyre.
“Sa më herët të vini aq më të mëdha janë mundësitë. Sot problematika e kancerit të gjirit futet tek problematika të ezauruara nw sensin e diagnostifikimit apo trajtimit”, tha Helidon Nina, Kirurg Onkolog.
Kleida Mati, mjeke Onkologe tha se “ një zë i bashkuar mund të shkojë atje ku vërtet i vetëm nuk mund të arrijë”.
Thirrjet sensibilizuese nuk munguan as nga gratë që e kanë fituar këtë beteje.
“ Si një person që e kam kaluar edhe vetë ju them që bëhuni të forta dhe mos u trembni sepse çdo gjë është e kurueshme”, tha qytetarja.
“Unë jam mjeke, por në fakt jam paciente me kancer gjiri para 12 vitesh. Kanceri i gjirit është një sëmundje si çdo sëmundje tjetër”, tha një tjetër.
“Race for the Cure” është ngjarja më e madhe sportive në Evropë për shëndetin e grave dhe në Shqipëri zhvillohet për të 5 vit radhazi.
/rtsh.al/