RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

LSDM zgjedh kryetarin e ri, Dimitar Kovaçevski do të zëvendësojë Zaev

13/12/2021

LSDM zgjedh kryetarin e ri, Dimitar Kovaçevski do të zëvendësojë Zaev

Dimitar Kovaçevski do të jetë kryetari i ri i Lidhjes Social Demokrate në pushtet, në Maqedoninë e Veriut. Ai do të zëvendësojë në këtë post, Zoran Zaev, i cili dha dorëheqjen pas disfatës së thellë të LSDM-së në zgjedhjet lokale, më 31 tetor.

Zgjedhja e Dimitar Kovaçevskit, deri tani zëvendësministër i Financave, u bë në kongresin e jashtëzakonshëm të socialdemokratëve, në një garë ku morën pjesë edhe dy kandidatë të tjerë, Frosina Remenski dhe Jovan Despotovski.

“Kemi shumë punë për të bërë për të rikthyer besimin te qytetarët tanë dhe anëtarët e partisë. Duhet ende punë për të garantuar që vendi të vazhdojë të udhëhiqet nga parimet dhe vlerat social-demokrate.  Qeveria duhet t’i përmbushë pritshmëritë për efikasitet më të madh në qeverisje dhe përmbushje të premtimeve. Çelësi për këtë është te vendosja e njerëzve të duhur në pozitat e duhura, si dhe krijimi i një sistemi në të cilin secili do të jetë përgjegjës për detyrat e veta”, u shpreh Kovaçevski.

Të dielën u mbajt gjithashtu Kongresi i partisë VMRO DPMNE-ja, në të cilin është konfirmuar kryetari aktual, Hristijan Mickoski edhe për një mandat të ri. Mickoski ka përsëritur kërkesën për zgjedhje të parakohshme, të cilat sipas tij, janë zgjidhje e vetme për dalje nga kriza politike.