RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

LSDM pranon dorëheqjen e Zaevit, kryetari i ri i partisë do të zgjidhet më 12 dhjetor

27/11/2021

LSDM pranon dorëheqjen e Zaevit, kryetari i ri i partisë do të zgjidhet më 12 dhjetor

Organet drejtuese të partisë maqedonase, Lidhja Social Demokrate (LSDM), kanë miratuar dorëheqjen e Zoran Zaevit nga kreu i partisë, pas një debati që ka zgjatur deri në orët e para të ditës së shtunë. Shumica e anëtarëve të kryesisë së gjerë të partisë kishin kërkuar tërheqjen e dorëheqjen, por Zaevi ishte i këmbëngulës në vendimin, të cilin e kishte paralajmëruar më 31 tetor pas disfatës së thellë të LSDM-së në zgjedhjet lokale. “Nga dita e shtunë fillon procedura për organizimin e zgjedhjeve brendapartiake, në të cilat do të mund të kandidojë kushdo që i plotëson kushtet e parapara me statutin e partisë”, ka deklaruar zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska. 

Kryetari i ri i partitë pritet të emërohet më 12 dhjetor në zgjedhjet e brendshme partiake, ndërsa ai do të jetë edhe mandatar për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, meqë Zoran Zaev ka paraqitur dorëheqje edhe nga drejtimi i ekzekutivit, por ajo ende nuk është miratuar në Kuvend, meqë Zaev së pari synon të sigurojë shumicën parlamentare, të cilën e ka humbur pas largimit nga Qeveria të lëvizjes Besa. 

Në Kuvend, partitë në pushtet dhe ato në opozitë kanë nga 60 deputetë. Zaev para anëtarëve të kryesisë së LSDM-së ka shprehur besimin se socialdemokratët, që janë në koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) të Ali Ahmetit, kanë numrat e nevojshëm dhe se pret që koalicioni qeverisës të zgjerohet edhe me deputetë të tjerë. 

Ndërkohë, partia Alternativa me katër deputetë, që konsiderohet si kyçe për forcimin e shumicës parlamentare të LSDM-së dhe BDI-së, ende nuk ka vendosur nëse përfundimisht do të jetë pjesë e Qeverisë. VMRO-DPMNE-ja konsideron se Qeveria e udhëhequr nga Zaevi, pas zgjedhjeve lokale nuk ka legjitimitet, andaj zgjidhjen nga kriza parlamentare e sheh në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.