Janë shpallur fituesit që do të bëjnë studimin e fizibilitetit dhe projektin për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë.
Qeveria shqiptare, përmes Drejtorisë së Hekurudhës Shqiptare ka përzgjedhur si fitues edhe bashkimin e kompanive “ILF Consulting Engineers Austria GmbH” – ABKONS SH.P.K.
Dy kompanitë kanë ofruar 168.9 milionë lekë për të realizuar këtë projekt nga 200 milionë lekë që ishte fondi limit i vendosur në dispozicion nga qeveria në buxhet për këtë qëllim.
Kompanitë do të kenë afat 14 muaj për të bërë studimin e fizibilitetit dhe për të ndërtuar projektidenë e hekurudhës Durrës-Prishtinë.
Ekzistojnë dy alternativa për studimin e fizibilitetit të hartuar nga Hekurudha Shqiptare.
E para parashikon në total një gjatësi prej 137 km. Ajo nis nga stacioni i Mjedës në Shkodër, deri në kufirin me Kosovën, rreth 107 km. Linja e re linja kalon në dy tunele të njëpasnjëshëm për shkak të terrenit të vështirë deri në zonën e Repsit, pranë autostradës Rrëshen-Kalimash. Kjo linjë parashikon ndërtimin e një tuneli në zonën e Bisakut dhe të një ure mbi liqenin e hidrocentalit të Fierzës për të arritur në Morinë.
Ndërsa nga pjesa e Kosovës, linja hekurudhore parashikon të shkojë në Gjakovë. Linja Kramovik-Qafë Morinë e gjatë 30 km. Ky është projekti më i kushtueshëm nga ana financiare.
Alternativa e dytë është 125 km, kalimi i hekurudhës parashikohet Milot – Kufiri në Vërmicë – Landovicë. Pjesa shqiptare së bashku me pjesën Milot – Rrëshen mbulon një gjatësi prej rreth 108 km. Ndërsa nga Kosova linja Klinë – Prizren deri në kufirin në Vermicë llogaritet në rreth 17 km.
Firmave fituese u është dhënë si mmundësi të ndërtojnë një alternativë të tyre mbi këtë projekt hekurudhor.
Kostoja e ndërtimit të linjës hekurudhore Durrës – Prishtinë parashikohet të kapë një vlerë prej 700 milionë euro dhe do të financohet nga buxhetet e dy shteteve Shqipëri-Kosovë.
Pjesë e studimit të fizibilitetit do të jetë edhe situata gjeologjike e terrenit ku do të shtrihet hekurudha raporti topografik dhe ndikimi mjedisor.
Shqipëria, në buxhetin e vitit 2024 ka vënë në dispozicion të projektit të fizibilitetit për këtë hekurudhë 50 milionë lekë, ndërsa në buxhetin aktual shpenzimet e parashikuara janë 73 milionë lekë.
Ky projekt ambicioz është mbështetur nga të dyja qeveritë, Shqipërisë dhe Kosovës, gjatë mbledhjeve të përbashkëta, në të cilat kanë shprehur domosdoshmërinë e lidhjes hekurudhore mes dy shteteve.
/ rtsh.al /