RTSH 24 Live

Europë

Liderët botërorë bëjnë thirrje për traktat ndërkombëtar për pandemitë

30/03/2021

Liderët botërorë bëjnë thirrje për traktat ndërkombëtar për pandemitë

Më shumë se 20 liderë botërorë kanë bërë thirrje për një zgjidhje të re për të ndihmuar botën që të përgatitet për pandemitë e ardhshme.  Në një shkrim për gazetat në të gjithë botën, udhëheqësit përfshirë presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel thanë se COVID-19 ka paraqitur sfidën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. Nuk është çështje nëse do të ndodhë një krizë tjetër pandemike, por kur, kanë shkruar ata. 
Liderët në këtë artikull të përbashkët kanë thënë se pandemia e COVID-19, ka treguar se "askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt". 
Udhëheqësit thonë se për të ndërtuar bashkëpunimin ndërkombëtar duhet një traktat i ngjashëm me atë të arritur pas Luftës së Dytë Botërore. Nënshkruesit, ndër të cilët është edhe kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, thonë se "në atë kohë, pas shkatërrimit të dy luftërave botërore, udhëheqësit politikë u bashkuan për të fuqizuar sistemin shumëpalësh”. 
Një traktat i ri do të ndihmonte në krijimin e sistemeve më të mira për njoftimin e njerëzve për pandemitë e mundshme, thonë ata, duke shtuar se pakti gjithashtu do të përmirësonte ndarjen e të dhënave dhe shpërndarjen e vaksinave dhe pajisjeve mbrojtëse personale.  "Do të ketë pandemi të tjera dhe emergjenca të tjera të mëdha shëndetësore. Asnjë qeveri e vetme ose agjenci shumëpalëshe nuk mund ta trajtojë këtë kërcënim vetëm”, kanë thënë ata. 
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins me seli në SHBA deri më tani, në të gjithë botën janë infektuar mbi 127milionë e 643mijë njerëznjerëz, prej të cilëve më shumë se 2 milion e 792 mijë kanë humbur jetën.