RTSH 24 Live

Aktualitet

Liceu Artistik Gjirokastër, maturantët: I domosdoshëm rikthimi në shkollë

15/04/2021

Liceu Artistik Gjirokastër, maturantët: I domosdoshëm rikthimi në shkollë

Rikthimi  në shkollë është pritur me padurim nga  të rinjtë e Liceut Artistik “Feim Ibrahimi” në Gjirokastër. Për ta, mësimi online, pavarësisht përkushtimit të tyre dhe mësuesve, nuk është rezultativ. Kjo periudhë e mbetur, para fillimit të provimeve të Maturës Shtetërore, shihet nga maturantët shumë e rëndësishme sidomos për ata që duan të vazhdojnë Universitetin e Arteve.

“Nuk e prita mirë zhvillimin e mësimit online. Puna që ne bëjmë në shkollë, nuk bëhet pa praninë e mësuesve. U lehtësova shumë, kur dëgjova se do riktheheshim në shkollë. Për njerëz që studiojnë dhe duan të arrijnë ambicie të qarta është një vendim i drejtë. Unë jam në vit të fundit dhe dua të vazhdoj studimet në Universitetin e Arteve dhe duhet një punë jashtëzakonisht e madhe.”- u shpreh Igli Zeqiri nxënës në degën e muzikës.

“ Rikthimi në shkollë ishte shumë i rëndësishëm për ne, pasi sado që të punonim nga shtëpia ishte e vështirë sepse na mungonte ndihma e profesorit në masën 100%. Ne duam ta rrisim nivelin tonë artistik që të arrijmë të shkojmë në akademi. Është shumë e rëndësishme për ne kjo periudhë nën kujdesin e mësuesve.”- tha Joana Labi, nxënëse e arteve figurative në klasën e 12.

Ndërkohë që mësimi i është kthyer normalitetit për maturantët, mësojmë se, nga drejtoria e shkollës u është bërë thirrje edhe nxënësve të klasave të tjera të paraqiten për të kryer konsultime me mësuesit apo edhe të praktikohen në specialitetet e tyre, duke shfrytëzuar bazën materiale të shkollës si për artet figurative dhe për muzikën.

“Duke qënë një shkollë specifike, është më tepër i domosdoshëm rikthimi i nxënësve. Mësimi vijon normalisht. Sigurisht që për lëndët e maturës shtetërore mësuesit përkatës zhvillojnë konsultime, sipas orareve të përcaktuara. Unë dua të theksoj faktin që ne kemi ftuar edhe nxënësit e klasave të tjera të vijnë në ambientet e shkollës, të bëjnë konsultime, të zhvillojnë mësim me mësuesit e specialiteteve. Këtu ata kanë veglat muzikore. Nuk mund të mësohet pianoja pa e patur atë, fizarmonika po ashtu e kështu me radhë. Po kështu edhe nxënësit e arteve figurative vijnë. Shkolla është e hapur edhe pasdite për të plotësuar nevojat e nxënësve.” – shpjegon Bujar Dudumi, drejtor i shkollës.

Shkolla  Artistike në Gjirokastër, këtë vit mësimor, frekuentohet nga 30 të rinj.