“Dasma kurora e gëzimit familjar “, ishte libri që ish gazetarja Violeta Duri, promovoi në ambientet ku ajo punoi për 2 dekada në RTSH Gjirokastra. Tradita, ritet zakonore, dhe këngët zagorite janë hedhur me aq mjeshtëri në faqet e këtij libri nga autorja.
“Nuk e kisha menduar një takim të tillë, aq më tepër me një libër që nisi me shkrimin e disa këngëve për të mos i harruar. Por të shkruash për të dokumentuar për të pasmit është diçka e bukur dhe unë e bëra me dëshirë e vullnet dhe sot kemi në duar ceremonialin e dasmës zagorite”, u shpreh Duri.
Për kontributin e saj të vyer si zëri kryesor i Radio Gjirokastrës, drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar Alfred Peza, ka dhënë vlerësime për znj.Duri , për mundin e përkushtimin në karrierën e saj 20-vjeçare në Radio Televizionin Gjirokastra, që sot është pjesë e rëndësishme ekranit të madh të të gjithë shqiptarëve, RTSH.
Aktiviteti që u organizua nga RTSH, Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe Qendra Kulturore Mediatike Antigone, bëri bashkë kolegë gazetarë, shkrimtare, si dhe drejtues të pushtetit vendor, si konsullin e përgjithshëm të Greqisë në Gjirokastër, Dhimitrios Saharidhis, të cilët shprehen mirënjohjen e tyre për kontributin e autores në gazetari, por edhe vlerësime për librin e saj të parë.
“Ky është një libër që sjellë një kontribut në ritualistikën lokale të hapësirës shqiptare sepse ka shumë lirika të cilat ne i këndojmë në të gjitha zonat tona, trevat shqiptare”, tha Çipa
Aktiviteti u përcoll edhe nga tingujt e violinave të qendrës kulturore të fëmijëve "Fato Berberi", nxënës të shkollës artistike "Feim Ibrahimi" si dhe nga mjeshtri i polifonisë gjirokastrite, Roland Çenko
Violeta Duri, ish- gazetare në Radio Gjirokastra dhe me një aktivitet voluminoz jo vetëm në fushën e gazetarisë, por dhe në sektorë të tjerë të arsimit dhe kulturës, është vlerësuar më shumë çmime me medalje, por sot si autore dhe zagorite erdhi në RTSH Gjirokastra më një gur të çmuar të Gjerdanit te kulturës sonë popullore, siç është monografia për dasmën zagorite.
Gazetare: S. Spaho
/rtsh/