RTSH 24 Live

Kosovë

Liberalizimi i vizave për Kosovën, vendimi miratohet nga Komiteti i PE për Liri Civile dhe Punë të Brendshme

23/03/2023

Liberalizimi i vizave për Kosovën, vendimi miratohet nga Komiteti i PE për Liri Civile dhe Punë të Brendshme

Komiteti për Liritë Qytetare, Punë të Brendshme dhe Drejtësi i Parlamentit Evropian, i dha dritën jeshile miratimit përfundimtar të legjislacionit që do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës, udhëtimin pa viza për në BE për të qëndruar në vendet europiane deri në 90 ditë brenda një periudhe 180 ditore.  

Në komitetin e Parlamentit Europian, 47 deputetë votuan pro liberalizimit, 8 kundër dhe 4 abstenuan, ndërkohë që para disa javësh liberalizmin e vizave për Kosovën e miratuan edhe ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Liberalizimi pritet që më pas të miratohet në seancë plenare të Parlamentit Europian që pritet të mbahet në muajin prill. 

Pas kësaj, vendimi do të  botohet në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian. Vendimi për liberalizimin e vizave pritet të hyjë në fuqi në momentin që do të fillojë të jetë funksional edhe sistemi dixhital europian për informim dhe autorizim të udhëtimeve, që me shumë gjasa pritet të ndodhë në fillim të 2024-ës.

/rtsh/