RTSH 24 Live

Aktualitet

Lezhë/ Nga shpërndarja e lëndëve narkotike te abuzimi seksual ndaj të miturës, arrestohen 3 persona, në kërkim 16-vjeçari

25/11/2022

Lezhë/ Nga shpërndarja e lëndëve narkotike te abuzimi seksual ndaj të miturës, arrestohen 3 persona, në kërkim 16-vjeçari

Policia e Lezhës ka vënë në pranga 3 persona dhe shpalli në kërkim 1 tjetër. Policia bën me dije se këta persona akuzohen për shitje të lëndëve narkotike ndërsa dy prej tyre kanë kryer marrëdhënie me dhunë me një 15-vjeçare. Sipas bluve të Lezhës, 20-vjeçari I.P., 19-vjeçari A.G., dhe 20-vjeçari K.T.  shpërndanin lëndë narkotike të cilën e mbanin në banesën e një 16-vjeçari i cili është shpallur në kërkim.

Policia ka sekuestruar një pako të mbushur me kokainë, të ndarë në dhjetëra doza dhe të gatshme për shitje, 1 peshore elektronike, 1 kallëp tritol, kapsolla detonatore dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në inteligjencën informative se disa të rinj kryenin në qytetin e Lezhës, veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike (kryesisht kokainë), në doza, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Ndëshkimi”. Në kuadër të këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-I. P., 20 vjeç, banues në Lezhë, i dënuar më parë për drejtim të automjetit, nën efektin e lëndëve narkotike; -A. G., 19 vjeç, banues ne Lezhë, i dënuar më parë për vjedhje; -K. T., 20 vjeç, banues në fshatin Kolsh, Lezhë”, njofton Policia.

Po ashtu, 20-vjeçari I.P dhe 19-vjeçari A.G në banesën e 16-vjeçarit kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 15-vjeçare. Kjo e fundi ka bërë denoncim në polici në prani të prani të prindërve, psikologut dhe avokatit.

“Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve“, në ngarkim të shtetasve I. P dhe A. G., ndërsa në ngarkim të shtetasve K. T. dhe të 16-vjeçarit, materialet u referuan për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve””, njofton Policia.

/rtsh.al/