RTSH 24 Live

Politikë

Largimi i Ahmetajt si zv.Kreministër, Rama: Organizimi bëhet për zgjedhjet vendore

28/09/2022

Largimi i Ahmetajt si zv.Kreministër, Rama: Organizimi bëhet për zgjedhjet vendore

Kryeministri deklaroi se qeveria është në të drejtën e saj për të bërë ndryshime organizative për zgjedhjet vendore që pritet të mbahen në maj-prill të 2023, ndërsa hodhi poshtë pretendimet se largimi i Ahmetajt nga pozicionet që mbante të ketë lidhje me hetimin për inceneratorët apo marrje informacioni për shpalle “non grata”.

“Këto janë përrallat që thashë edhe dje. Ju jeni në të drejtën tuaj të tregoni përralla duke kërkuar pas çdo vendimi e hapi, qëllime që nuk ekzistojnë. Natyrisht që është diçka që nuk do të ndodhte 10 vite më parë, por ndodh që për hir të lirisë së mediave, të spekulohet deri në ekstrem me lloj lloj shpifjesh e gënjeshtrash që vijnë nga qëllimi për të bërë lajm apo shpifur. Nuk di çfarë të them, Zoti i paftë të gjithë dhe të kujdeset për të gjithë. E vërteta e ka akoma më të vështirë të përçajë në këtë rrugë ku sundon gënjeshtra. Ne jemi në të drejtën tonë të bëjmë ndryshime organizative, i kemi bërë gjithmonë. Këto nuk kanë lidhje fare, kush jam unë në fund të fundit.

Se si organizohet një skuadër, është e drejta e skuadrës, nuk është e tifozëve dhe spektatorëve. Rezultatet do e tregojnë. Pse duhet të ketë bërë patjetër diçka që të lëvizë nga një pozicion. Pse nuk është më thjesht se kaq? Kur secili jep maksimumin, bëhen dhe riorganizime. Organizimi bëhet për zgjedhjet vendore, nuk ka të bëjë me përrallat e tjera”, tha Rama.

/rtsh.al/