RTSH 24 Live

Ekonomi

Kuvendi shqyrton sot nen për nen p/buxhetin dhe Paketën Fiskale

25/11/2021

Kuvendi shqyrton sot nen për nen p/buxhetin dhe Paketën Fiskale

Projektbuxheti dhe Paketa Fiskale për diskutim dhe miratim në senacën plenare pas më shumë se një muaji diskutimesh.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ka deklaruar se projektbuxheti i vitit të ardhshëm ka si objektiv primar konsolidimin e rimëkëmbjes ekonomike, pas përballimit me sukses të dy fatkeqësive natyrore që goditën vendin në mënyrë të njëpasnjëshme, tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia COVID-19.

Sipas saj, ky objektiv madhor bazohet në pritshmëritë pozitive të qeverisë për një rritje ekonomike prej 7.6 % në vitin 2021, pritshmëri në linjë me parashikimet e institucioneve prestigjioze ndërkombëtare si FMN, BB, BERZH, etj, të cilat konfirmojnë njëkohësisht trendin pozitiv për periudhën afatmesme 2022-2024.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë tha se nëpërmjet projektbuxhetit do të vijohen reformat strukturore të nisura, të cilat do të nxisin rritjen ekonomike në vijim në çdo sektor e duke sjellë, mbi të gjitha, rritjen e punësimit.

Përsa i përket objektivit madhor të uljes së borxhit, ministrja bëri me dije se në projektbuxhetin e vitit 2022, deficiti fiskal parashikohet me 5.4% e PBB, në ulje krahasuar me të pritshmin e 2021 prej 6.8% të PBB.

Ibrahimaj theksoi se në vitin 2022 të ardhurat parashikohen të arrijnë në 536.8 miliardë lekë dhe, krahasuar me pritshmëritë e vitit 2021, ato pritet të rriten me 7.8%. Ndërkohë, shpenzimet buxhetore për vitin 2022 janë programuar në nivelin e 637.6 miliardë lekë ose 34.1% e PBB dhe do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë si: arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, si dhe mbështetjen e plotë të procesit të rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019, të cilat së bashku garantojnë stimuj pozitivë për rritjen ekonomike të vendit duke gjeneruar njëkohësisht punësim.

Lidhur me investimet publike të parashikuara në projektbuxhetin e vitit 2022, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë theksoi se ato janë parashikuar në masën 6.4% e PBB ose 119 miliardë lekë, ndërkohë që përparësi do të ketë financimi i projekteve në vazhdim.

Niveli i borxhit publik do t’i rikthehet qartësisht trajektores rënëse në vitin 2022 me një vlerë rreth 78.9% të PBB nga rreth 80% që pritet të jetë në fund të vitit 2021.

Në rend të ditësh është parashikuar edhe ratifikimi i marrëveshjes së financimit me Maqedoninë e Veriut për porgramine veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II.

Po ashtu do të shqyrtohet edhe marrëveshja tjetër me Maqenoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar.

Një tjetër pikë e rendit të ditës është edhe marrëveshja kuadër e huasë me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës për mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë për zbutjen e pandemicë COVID-19.

Gjithashtu në seancën e sotme do të miratohet një ndryshim në vendimin për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për kontrollin e veprimtarisë së organeve të administratës publike dhe pushtetit vendor për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 25 prillit.