RTSH 24 Live

Ekonomi

Kuvendi miratoi kredinë prej 56,8 mln USD për rrugën Qukës-Qafë Plloçë

21/11/2022

Kuvendi miratoi kredinë prej 56,8 mln USD për rrugën Qukës-Qafë Plloçë

Kuvendi miratoi në seancë plenare projektligjin për ndryshimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim për ndërtimin e segmentit Qukës – Qafë Plloçë, si pjesë e korridorit rrugor Tiranë – Korçë. Punimet në këtë aks nisën në 2011 dhe parashikoheshin të përfundonin në 2019.

Përmes miratimit të marrëveshjes nga Kuvendi sigurohet financimi shtesë në shumën 56,8 milionë USD për ndërtimin e aksit Qukës-Qafë Plloçë.

Drejtues të projektit pohuan se punimet parashikohen të përfundojnë në dhjetor të 2024. Deri tani në terren janë realizuar fizikisht 74% e punimeve. Vlera totale e projektit bashkë me financimin e kredisë nga Banka Islamike për Zhvillim arrijnë në 125 milionë USD.

Punimet në këtë segment janë të ndarë në 3 lote. Segmenti i ri do të ketë gjatësi prej 43 km. Rruga në 10 km e para kalon përgjatë lumit Shkumbin dhe me pas vazhdon në malësinë e Mokrës, zonë e cila njihet për si një zone me male të larta dhe të thepisura dhe për shkak te saj do të ndërtohen një numër i madh muresh mbajtës dhe pritës, me shume se 20 (njëzet) ura dhe viadukte si dhe një tunel 375 m i gjatë.

Rruga do te ketë gjerësi prej 12 m, nga te cilat 2 korsi me gjerësi 3.75 m secila (7.5 m total), 2 bankina te asfaltuara me gjerësi 1.5 m secila dhe 2 bankina të pa asfaltuara me gjerësi 1 m secila. Projekti është ndarë ne 3 seksione ndërtimi, nga te cilat 2 seksionet e para do te financohen nga Banka Islamike për Zhvillim (IDB) dhe seksioni i tretë do të financohet nga Fondi Saudit për Zhvillim (SFD).

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi në seancë se nga përfundimi i projektit do të përfitojnë drejtëpërdrejtë 600 mijë qytetarë.

“Me përfundimin e plotë të ndërtimit të segmentit tërësisht të ri rrugor me gjatësi 43.3 km do të shkurtohet me rreth një orë koha e udhëtimit në aksin kombëtar Tiranë-Korçë. Kjo arterie e re rrugore krijon një mundësi të re komunikimi me shtetet fqinjë ballkanikë, si Greqia dhe Maqedonia e Veriut, si dhe lidhjen e këtij korridori me portet shqiptare”, tha Ibrahimaj.

Sipas Ministres, marrëveshja përkon edhe me zhvillimin e sektorëve dhe objektivave strategjikë të qeverisë shqiptare, ku në procesin e integrimit evropian një parakusht është dhe integrimi rajonal dhe të dy këto procese nuk mund të kenë sukses pa zhvillimin e infrastrukturës së denjë, lehtësimin e komunikimit dhe tregtisë mes vendeve.

Në periudhë afatmesme, vijoi Ministrja Ibrahimaj, parashikohet që investimet publike të jenë më tepër se dyfish i huamarrjes së re që planifikohet të sigurohet çdo vit, duke mundësuar kështu që jo vetëm borxhi të merret me kushte të favorshme dhe me norma të favorshme interesi, por që çdo investim i ri do të përkthehet në përfitim të ekonomisë dhe në rritje të saj.