RTSH 24 Live

Politikë

Kuvendi i FRPD, Berisha: Revolta dhe revolucioni i rinisë, të vetmet që mund të shpëtojnë vendin sot

08/12/2022

Kuvendi i FRPD, Berisha: Revolta dhe revolucioni i rinisë, të vetmet që mund të shpëtojnë vendin sot

Në 32-vjetorin e lëvizjes studentore të 1990 që solli ndryshimin e sistemit dhe vendosi demokracinë në vend është zhvilluar edhe Kuvendi Kombëtar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Sali Berisha, i pranishëm në këtë kuvend, tha se ashtu siç rinia solli ndryshimin në 1990, edhe sot duhet revolucion për të larguar “armikun e shqiptarëve”, që sipas tij është Edi Rama. Berisha tha se Shqipëria nuk shpëtohet me lutje, por me revolucion dhe revoltë popullore.

“Bashkëmoshatarët tuaj asokohe me në krye Azem Hajdarin mbushën sheshin dhe rrugët e qytetit Studenti. Diktatura korrte dhe vriste moshatarë të tjerë të cilët niseshin për një jetë tjetër por mbeteshin të vdekur në kufijtë e vendit. Ata studentë e gjunjëzuan diktatorin dhe i imponuan vendosjen e demokracisë në Shqipëri. Është kjo trashëgimi e cila do u frymëzojë juve dhe gjithë Shqiptarët në betejën e tyre për dinjitet. Sot fjala dhe kryefjala e kohës është revolucion, revolucion dhe vetëm revolucion. Shqipëria nuk shpëtohet me lutje dhe me deklarata, por shpëtohet me revolucion. E shpëtojnë ata që i dalin zot, e shpëtojnë ata si ju që jeni të gatshëm të përballeni ballë për ballë me Edi Ramën këtë bir xhelati që urren qenien shqiptare, urren dinjitetin e shqiptarëve”, tha Berisha.

Duke iu drejtuar referendumeve, Berisha tha se kjo i jep të drejtën dhe i kthen dinjitetin shqiptarëve. Berisha nuk kurseu as akuzat për Ramën duke e cilësuar si plaçkitës të votës dhe arsyen e shpopullimit të vendit.

“Zhvilluam primaret, referendumet, në mënyrë që secili prej jush të ketë pushtetin dhe dinjitetin e vet. Sot në pushtet është një klikë që urren liritë tuaja. Një njeri që ka shndërruar shtetin në një makineri monstruoze, të shtypjes dhe plaçkitjes së votës. Që përdor paratë dhe taksat e prindërve tuaj për të vjedhur votat. Të rinjtë ikin dhe largohen sikur ky vend të ishte i mallkuar, por ky vend është i bekuar. Por ne do t’ia dalim, ne do i dalim zot Shqipërisë jemi të gatshëm të luftojmë çdo pushtues dhe mafie të saj. Asgjë nuk na ndalon ne pa realizuar qëllimet tona, Edi Rama, ky frikacak nxjerr një kriminel në rrugë dhe gjuan, por një njeri mund të gjuhet, dhe vritet, por kauza nuk vdes kurrë more mjeran! Ne do ta faktojmë shpejt se kauza jonë do të triumfojë, se Shqipërinë s’ta japim kurrë, se votën e lirë s’ta japim kurrë. Ata që kanë luftuar pushtues në histori, i kanë luftuar me moton ja vdekje ja liri, ne do ta luftojmë me moton jetën e japim votën nuk ta falim! Mjerë ti që ke prek votën tonë”, tha Berisha.

/rtsh.al/