RTSH 24 Live

Ekonomi

Kushtetuesja shqyrton nesër taksimin e profesioneve të lira, kontabilisti: Ka elemente antikushtetuese

17/06/2024

Kushtetuesja shqyrton nesër taksimin e profesioneve të lira, kontabilisti: Ka elemente antikushtetuese

Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë nesër (18 qershor) paditë e depozituara për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, ndërsa kontabilisti i miratuar, Jurild Hoxha tha se ata kërkojnë shfuqizimin e disa elementëve që i konsideroi si antikushtetues. Në studion e RTSH24, Hoxha tha se ky ligj është diskriminues, teksa normën e taksimit, 15-23% e konsideroi si tepër të lartë.

Argumentet që ka sjellë ligjvënësi për të justifikuar këtë normë, ka qenë vendosja e një shenje krahasimi të punëmarrësve me profesionistëve të lirë, gjë që nuk mund të ndodhi, mund të krahasonim profesionistët e lirë me korporatat, por jo me punëmarrësit. Norma, 15-23% nga ne konsiderohet tepër e lartë. Ne kemi nevojë ta zhvillojmë këtë shtresë profesionistësh. Mendoj se kjo taksë do të ketë efekte negative.

Është diskriminues. Për bizneset e të njëjtës fashë të të ardhurave, kemi dy tatime të ndryshme. PSH, një kopësht që është aktivitet privat, me ligjin e ri do tatohet 15-23% në varësi të të ardhurave, ndërsa një biznes tjetër i vogël që psh. shet këpucë, do ta ketë tatimin zero. Cila është incentiva në këtë rast? Të lëmë këto shërbime dhe të shesim të gjithë këpucë??”, tha ai.

I pyetur se çfarë impakti pritet të ketë një vendim jo në favor të tyre i Gjykatës Kushtetuese, Hoxha tha se do të sillte një barrierë të shtuar për të gjithë ata të rinj që kërkojnë të hyjnë në profesion.

Ne kërkojmë disa ndryshime që kanë elementë antikushtetues, psh. ligji thotë që nëse një avokat zgjedh të ofrojë shërbimet e tij për 2 klientë, ka dy klientë të mëdhenj që plotësojnë kapacitetet e tij, ky biznes do trajtohet si të ardhura nga paga dhe ka atë tatimin nga 13-23%. Nëse një avokat zgjedh që atë kapacitet ta vërë në dispozicion jo të 32 klientëve të mëdhenj, por 10-15 të vegjël, ky trajtohet si biznes. Ky është diskriminim.

Në rast se Gjykata Kushtetuese nuk do jetë në favorin tonë, është një barrierë e shtuar e të rinjve që kërkojnë të hyjnë në profesion dhe është minimalisht me 10% e faturimit, do ketë më pak konkurrencë, më pak standarde dhe çmime më të rritura për qytetarët. Do vështirësojë lulëzimin e profesioneve të lira”, theksoi ai.

Ligji për tatimin mbi të ardhurat u miratua në muajin mars 2023 nga Parlamenti, ndërsa përfshin 26 lloje aktivitetesh, duke nisur nga shërbimi IT, i kontabilitetit, avokatët, arsimtarët, mjekët, pasuritë e paluajtshme, agjencitë e lajmeve, agjencitë e punësimit, të sportit operatorët turistikë etj.Në total, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në regjimin e ri tatimor do të përfshihen deri në 29 mijë biznese të profesioneve të lira.

/rtsh.al/