RTSH 24 Live

Sociale

Kushi: Të rritim cilësinë e arsimit të lartë për të shmangur largimin e studentëve

14/07/2021

Kushi: Të rritim cilësinë e arsimit të lartë për të shmangur largimin e studentëve

Ministrja e arsimit, rinisë dhe sporteve Evis Kushi ka deklaruar se rritja e cilësisë së arsimit të lartë mbetet prioritet i qeverisë, në mënyrë që të shmanget largimi i studentëve jashtë kufijve të Shqipërisë. Deklaratën e saj ministrja Kushi e bëri gjatë një takimi me studentë dhe petagogë të Fakultetit Ekonomik të UT, për programet e përbashkëta të studimit me Universitetin e Torinos. 
“Prioritet kryesor në sistemin tonë arsimor do të jetë arsimi i lartë dhe presim më shumë për sa i takon cilësisë. Na ndodh që maturantët më të suksesshëm, pjesa më e madhe e tyre nuk e shikojnë këtu në Shqipëri zgjedhjen për të vazhduar studimet e larta. Kjo na trishton dhe nuk na vjen mirë. Kjo është edhe arsyeja pse ne e kemi vendosur në fokus rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, me qëllim që të rinjtë tanë të kenë zgjedhje këtu në Shqipëri” tha ministrja.
Zonja Kushi u njoh nga afër me përvojën e tyre të deritanishme dhe me faktin që diploma e dyfishtë e fituar nëpërmjet këtij bashkëpunimi disavjeçar mes Fakultetit Ekonomik të UT, dhe Universitetit të Torinos, ka lehtësuar rrugën e studentëve për t’u integruar shumë më shpejt në tregun e punës.
“Këtu nënkuptoj që të kemi sa më shumë diploma të përbashkëta/të dyfishta, apo pse jo edhe filiale të universiteteve më prestigjioze evropiane këtu në Shqipëri. Nëpërmjet këtij mekanizmi, universitetet do të nxiten që të rrisin cilësinë. Në këtë politikë të re që po e nxisim bashkë me të gjitha universitetet për të pasur sa më shumë bashkëpunime dhe programe studimi të përbashkëta, konstatuam që i kemi disa të tilla. Por që nuk janë promovuar aq sa duhet dhe jo të gjithë maturantët e dinë që edhe këtu në Shqipëri mund të ndjekin një program studimi me vlerë evropiane” tha zonja Kushi.
Ministrja e arsimit, rinisë dhe sporteve shtoi se një ndër mekanizmat që do të aplikohet është bashkëpunimi i ngushtë me universitetet më të mira të tuaja, evropiane dhe më gjerë.