RTSH 24 Live

Botë

Kush është Olaf Scholz, kancelari i ri i Gjermanisë

24/11/2021

Kush është Olaf Scholz, kancelari i ri i Gjermanisë

Nëse zgjedhjet në Gjermani do të mbaheshin për të zgjedhur direkt kancelarin, Olaf Scholz do të ishte preferenca e parë për të pasuar periudhën 16-vjeçare në qeverisje të Angela Merkelit. Por, vota për partinë nuk ishte në pritshmëritë e vetë Scholz, që u detyrua për javë me radhë të hyjë në bisedime koalicioni me liberalët dhe të gjelbërit.

Vetë Scholz, kandidati i Partisë Social Demokrate të qendrës së majtë ishte shumë më popullor se rivali i tij kryesor, Armin Laschet i CDU/CSU. Pikërisht popullariteti i Scholz-it ndihmoi që SPD-ja të arrinte fitoren e katërt në zgjedhjet parlamentare që prej Luftës së Dytë Botërore, ndonëse me një diferencë të ngushtë me 1.6 për qind më shumë të votave se të djathtët.

Pas disa javësh negociata koalicioni me të Gjelbërit dhe Demokratët e Lirë liberalë, Scholz ka arritur të formojë koalicionin e ri qeverisës.

Por, kush është Olaf Scholz dhe çfarë lloj Gjermanie dëshiron të udhëheqë ai?

Përveçse është kandidati i SPD-së, Scholz është ministër i Financave dhe zëvendëskancelar i Gjermanisë, post që ai ka mbajtur që nga viti 2018 në "koalicionin e madh" të formuar nga partia e tij me konservatorët e Angela Merkel.

Scholz u tregua “dorëlëshuar” te politikat fiskale pas goditjes së vendit nga pandemia, duke argumentuar se rregulli fiskal i Gjermanisë në vitet e mëparshme kishte krijuar mundësitë dhe hapësirën për të shpenzuar.

Gjermania nisi një paketë stimulimi të brendshëm me vlerë 130 miliardë eurodhe Ministria e Financave e Scholz luajti rol të rëndësishëm në shtyrjen e planit të rimëkëmbjes së BE-së prej 750 miliardë eurosh.

Megjithatë, ai dëshiron që Gjermania të rivendosë frenimin e borxhit, i cili kufizon shpenzimet e deficitit në vitin 2023 dhe është kundër lehtësimit të rregullave fiskale të BE-së, siç dëshiron Italia dhe Franca.

Scholz është një nga politikanët më me përvojë të Gjermanisë. Një njeri i besuar i Gerhard Schroder, kancelarit të fundit të SPD-së, në fillim të viteve 2000, Scholz vazhdoi të merrte përgjegjësi në nivelet e kabinetit dhe në nivel rajonal.

Tiparet e tij personale janë të thjeshta: pragmatik, i qartë. “Unë jam liberal, por jo budalla”, tha ai dikur për ligjin dhe rendin dhe protestat, ndërsa nuk në festën e largimit nga drejtimi i bashkisë së Hamburgut nuk u shërbye alkool. Në fillim të viteve 2000 ai u quajt "Scholz-o-mat" për sjelljen e tij robotike.

Çfarë kërkon për Gjermaninë?

Scholz ka premtuar një politikë agresive në drejtim të strehimit social, duke u zotuar për ndërtimin e 400 mijë banesave të reja, ku 100 mijë do të shkojnë për të pastrehët. Ka premtuar më shumë angazhim për klimën, por pa rrezikuar vendet e punës. Ai synon ta kthejë Gjermaninë në një eksportues kryesor të teknologjisë dhe të energjisë së pastër.

Te pjesa e teknologjisë, Scholz ishte mbështetësi kryesor i paketës 30 miliardë euroshe që Gjermania synon të investojë në vitet e ardhshme për të ndërtuar në vend një industri të prodhimit të qarqeve (Chip) të gjeneratës së fundit. Aktualisht, ky treg ka nevoja të mëdha, ndërsa prodhuesi kryesor i tyre që zotëron mbi 90 për qind të tregut është një kompani tajvaneze.

Prioritet për Scholz është rritja e pagës minimale për orë nga 9.60 euro në 12 euro. Këto nuk janë premtime radikale, por ato përmbajnë mjaft mish të kuq social-demokrat për të kënaqur krahun e majtë të partisë së Scholz.