RTSH 24 Live

Kosova

Kush është lideri i parë i huaj që do të presë Bideni në Shtëpinë e Bardhë?

16/04/2021

Kush është lideri i parë i huaj që do të presë Bideni në Shtëpinë e Bardhë?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të premten do ta presë liderin e parë të huaj që e viziton në Shtëpinë e Bardhë. Këtë nder do ta ketë kryeministri i Japonisë, Yoshihike Suga.

Takimi njëditor pritet të përfshijë diskutime rreth hapave për pasurimin e zinxhirëve furnizues, të cilët shihen si shumë të varur nga Kina, dhe rreth një zotimi prej 2 miliardë dollarësh nga Japonia për të punuar me Shtetet e Bashkuara për alternativat e rrjetit 5G të kompanisë kineze, Huawei, tha një zyrtar i lartë amerikan.

Bideni dhe Suga gjithashtu pritet të diskutojnë për çështjen e të drejtave të njeriut që lidhen me Kinën, përfshirë situatën në Hong Kong dhe Xinjiang, tha ky zyrtar, shkruan Reuters.

Pritet që pas takimit të dilet me një deklaratë për Tajvanin, të cilin Kina e cilëson si pjesë të territorit të saj dhe i cili po ndodhet nën trysni të shtuar ushtarake nga Pekini.

Zyrtari amerikan tha se të dyja vendet, ndonëse nuk dëshirojnë t’i shtojnë tensionet ose ta provokojnë Kinën, po përpiqen që të dërgojnë një sinjal të qartë se dërgimi i aeroplanëve luftarakë kinezë në zonën ajrore të mbrojtjes së Tajvanit nuk është në përputhje me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Japonisë tha këtë javë se ende nuk është vendosur nëse do të ketë deklaratë të përbashkët, ndërsa dy ligjvënës japonezë të partisë në pushtet, të afërt me këto diskutime, thanë se zyrtarët kanë qenë të ndarë rreth asaj nëse kryeministri Suga duhet t’i bashkohet një deklarate të fuqishme rreth Tajvanit.