RTSH 24 Live

Aktualitet

Kush është i forti i "Myslym Shyrit", që u arrestua për atentatin ndaj Gjon Menës

24/02/2021

Kush është i forti i "Myslym Shyrit", që u arrestua për atentatin ndaj Gjon Menës

Pas tentativës së vrasjes me eksploziv të mbetur në tentativë të Gjon Menës në Kamzë, policia ka arrestuar tre persona. Mes tyre është edhe një prej emrave më të njohur të botës së krimit në Tiranë, Gjergj Cukali. Cukali besohet se është porositësi i atentatit ndaj 32-vjeçarit Gjon Mena.

I njohur si "i forti i Myslim Shyrit", Cukali ka qenë i dënuar më parë për veprat penale të ‘Rëmbim personi’ ‘Vrasje me paramendim’, ‘Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike’ dhe ‘Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake’. Por pavarësisht akuzave për krime tronditëse, Cukali ka arritur të dalë nga burgu. Më poshtë do gjeni disa nga ngjarjet e rënda ku rezulton i përfshirë.

I dënuar për pengmarrje

Më 24 nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Gjergji Cukalin, me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit F.D., ngjarje e ndodhur në vitin 2004.

Arrestimi në 2016

Ndërkohë në korrik të 2016, ai u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Tangent”, ku Cukali ishte drejtuesi i një rrjeti të shpërndarjes së kokainës.

Atë kohë u proceduan penalisht 7 persona, ndërsa 9 të tjerë u arrestuan. Të arrestuarit ishin shtetas nga disa qytete të Shqipërisë, por edhe nga Kosova. Ndër ta kishte edhe të dënuar më herët për vepra të rënda penale.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin anëtarët e grupit dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të Tiranës si “Myslym Shyri”, ish-Blloku, sheshi “Willson”, në rrugën “Ali Demi”, në zonën e Porcelanit dhe në rrugën e Elbasanit.

Përmes veprimeve procedurale dhe duke përdorur metoda speciale, Policia e Tiranës kishte dokumentuar aktivitetin kriminal të këtij grupi. Hetimet patën provuar se shtetasit e arrestuar e siguronin lëndën narkotike përmes Gjergji Cukalit dhe më pas e shpërndanin, sipas porosive të marra nga klientët.

Trafikantit i zbulohet identiteti tjetër

Gjergji Cukali, i njohur si “i forti i Myslym Shyrit”, kishte edhe një identitet tjetër, gjë që iu zbulua menjëherë pas arrestimit në vitin 2016. Atë kohë në media u publikuan dokumentet e falsifikuara me identitetin, Ergi Hoxha. Pasaporta biometrike, karta e identitetit dhe patenta me të njëjtin emër, iu sekuestruan nga policia, e cila ndaj Cukalit kishte ngritur edhe akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Sëmundja që e dërgoi nga burgu në shtëpi

Pas një viti qëndrimi në burg, Gjergji Cukali sërish arrin që të dalë. Një vendim i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që mban datën 24 Maj 2017, i dha lirinë Gjergji Cukalit, duke vendosur masë sigurie “arrest shtëpie”. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë argumenton se u vendos që Gjergji Cukali të qëndrojë në “arrest shtëpie” për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Rezulton se “i forti i Myslym Shyrit” vuante nga astma bronkiale dhe kishte kriza të shpeshta.

“Për këtë arsye,- thotë Gjykata e Lartë, -Gjergji Cukali nuk mund të mjekohet në Institutin e Kujdesit të Veçantë Shëndetësor të të burgosurve Tiranë. Qëndrimi në burg i vë jetën në rrezik”. Nisur nga ky raport mjekësor, Gjykata e Lartë vendosi të rrëzojë dy masat e sigurisë “arrest me burg” të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe të Apelit Tiranë, duke vendosur “arrest shtëpie”, si masë më të përshtatshme duke parë gjendjen e të pandehurit.

Arrestimi i tij në vitin 2018

Gjergj Cukali nuk qëndron dot larg telasheve. Në vitin 2018 arrestohet sërish për thyerjen e masës së sigurisë. 40-vjeçari “i dënuar me masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, është kapur në flagrancë larg banesës së tij pasi kishte shkelur vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë”, njoftonte atë kohë policia e Tiranës.

Arrestimi në maj të 2019.

Policia e Tiranës njoftoi se ka bërë të mundur arrestimin e Gjergj Cukalit, ku është akuzuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes me paramendim. Hetuesit pretendojnë se kanë prova të forta që vërtetojnë përfshirjen e tij në vrasjen e ish-efektivit të policisë Arben Bilali, me 30 janar 2019.