RTSH 24 Live

Kosova

Kurti takon Merkel: Nuk e njoh 'OPEN BALKAN'

14/09/2021

Kurti takon Merkel: Nuk e njoh 'OPEN BALKAN'

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar kancelaren gjermane Angela Merkel në Tiranë. Edhe pas takimit që pati me kancelaren, Kurti doli sërish kundër nismës se OPEN BALKAN. Sipas kryeministrit të Kosovës, Procesi i Berlinit i drejtuar nga Angela Merkel është i mjaftueshëm për Ballkanin.

Sot në Tiranë Angela Merkel la të kuptohet se e mbështet nismën “Open Balkan”, por Kurti nga ana tjetër është kundër teksa Kosova vijon të refuzojë pjesëmarrjen. Më herët, në konferencën e përbashkët për shtyp me kancelaren gjermane Angela Merkel, kryeministri Edi Rama foli edhe “Ballkanin e Hapur”, të cilin e quajti pjellë të Procesit të Berlinit. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Rama tha se kjo nismë është ndërmarrë për të përshpejtuar Procesin e Berlinit. Kryeministri tha se Kosova nuk e shfrytëzon këtë mundësi, por bën teori konspiracioni.

“Ballkani i Hapur është pjellë e procesit të Berlinit. Është mjeti i rajonit për të implementuar procesin e Berlinit. Kush thotë të kundërtën ose e bën me qëllim ose nuk e kupton. Ajo që kemi diskutuar është se teoritë e konspiracionit janë të hedhura këtu nga BE për të mos na futur në BE, janë dokrra. Kancelarja në 2014 ka thënë se ju nuk jeni në BE por jeni europian. Nuk kemi pse presim që të hyjmë në BE që të ndërtojmë autostradat apo infrastrukturat digjitale apo tregjet e përbashkëta“, tha Rama .

Në lidhje me akuzat e Ramës, për teoritë e konsipiracionit, Kurti tha se "nuk e di se për cilën bëhet fjalë".