RTSH 24 Live

Kosova

Kurti takon Lajçak, Plotner dhe Bonne: Kosova e angazhuar për dialog parimor me Serbinë

09/09/2022

Kurti takon Lajçak, Plotner dhe Bonne: Kosova e angazhuar për dialog parimor me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne. Gjatë takimit u vu në pah vullneti dhe gatishmëria e Kosovës për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë.

Në fjalën e tij Kryeministri Kurti deklaroi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër. Po ashtu Kurti falënderoi Lajçak, si dhe këshilltarët Plötner dhe Bonne, për angazhimin e tyre për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Gjatë takimit u bisedua për nevojën e përpjekjeve edhe më të fuqishme nga të gjithë aktorët që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Lajçak ka bërë me dije se në takimin me Kurtin u vu theksi te përmirësimi i dialogut me Serbinë. “Me kryeministrin Kurti biseduam për dy orë për dialogun dhe mënyrat për të futur dinamika të reja dhe për të avancuar këtë proces. Ishte një diskutim i thellë dhe domethënës, por nuk mund të japim më shumë detaje”, tha Lajçak

Pas vizitës në Kosovë, Lajçak së bashku me këshilltarët për politikë të jashtme dhe të sigurisë të Francës dhe Gjermanisë, Emanuel Bonne dhe Jens Plotner do të udhëtojnë drejt Serbisë për t’u takuar me Presidentin Aleksandër Vuçiç. Takimi do të zhvillohet në orën 18:00 në Villa Mir, pas së cilës do të japin një deklaratë të përbashkët për media.

/rtsh.al/