RTSH 24 Live

Politikë

Kurti: Samiti i 6 dhjetorit e kthen Tiranën në kryeqendër evropiane

27/11/2022

Kurti: Samiti i 6 dhjetorit e kthen Tiranën në kryeqendër evropiane

Samiti i 6 dhjetorit, ku pritet takimi i nivelit të lartë mes liderëve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “e kthen Tiranën në një kryeqendër evropiane”.

Këtë koment Kurti e bëri gjatë një ndalese në Bashkinë e Kukësit, ku zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë, Safet Gjici. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ish- kryeministri, Pandeli Majko, si dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

”Ky samit e kthen Tiranën kryeqendër evropiane. Dëshëroj marrëdhënie shumë të mira mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Jam i gëzuar që ky samit po mbahet në një kryeqytet si Tirana. Jemi të bindur se BE-ja është e ardhmja dhe fati ynë. Mezi pres që krejt Ballkani, ne si qeveri dhe shteti i Kosovës, t’i bashkangjiten BE-së”,- u shpreh Kurti.

Gjatë kësaj ndalese në Kukës, Kurti vendosi një tufe me lule edhe tek varri i Hasan Prishtinës, i cili prehet ne varrezat e dëshmoreve të këtij qyteti.

/rtsh.al/