RTSH 24 Live

Kosovë

Kurti nga Peja: Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale

27/03/2023

Kurti nga Peja: Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale

Kryeministri Albin Kurti, deklaroi të hënën (27 mars) se Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë, dhe se Prokuroria Speciale duhet të punojë ditë e natë në mënyrë që përgjegjësit të identifikohen dhe të nxirren para drejtësisë. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë do të fillojë rehabilitimi për viktimat e luftës së fundit në Kosovë.

Pas homazheve tek lapidari i masakrës në lagjen “Dardania” në Pejë, Kurti theksoi se drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjatë për siguri për të gjithë dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore e normale.

"Drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjate dhe për siguri, për të gjithë dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore e normale. Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë dhe Prokuroria Speciale duhet të punojë ditë e natë që t’i nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit dhe në këtë mënyrë të fillojë rehabilitimi për viktimat. Dihet që viktimat nuk janë vetëm të vrarët e të rrëmbyerit por edhe familjet e tyre, farefisi i tyre dhe mbarë shoqëria jonë”, tha Kurti.

Në këtë 24 vjetor  kujtohen dhe nderohen 69 viktimat e lagjes Dardania 1,2 dhe 3. Më 27 marsin e vitit 1999, banorët e lagjes Dardania në Pejë kishin përjetuar një tmerr kur paramilitarët serbë, kishin filluar t’i ndanin burrat nga familja e tyre dhe më pas i kishin pushkatuar dhe hynë edhe në shtëpitë e këtyre lagjeve ku kryen masakra të rënda.

/rtsh/