RTSH 24 Live

Kosovë

Kurti konfirmon: Betimi i tri kryetarëve në veri bëhet të enjten, në ndërtesa publike

24/05/2023

Kurti konfirmon: Betimi i tri kryetarëve në veri bëhet të enjten, në ndërtesa publike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se kryetarët e rinj të tri komunave të banuara me shumicë serbe, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, do të betohen të enjten (25 maj).

“Nesër në ndërtesa publike në këto komuna do të mbahen seanca konstituive dhe do të bëhet betimi i tre kryetarëve të rinj”, tha kryeministri në mbledhjen e Qeverisë të mbajur të mërkurën më 24 maj, sipas REL.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok  u mbajtën pasi kryetarët paraprakë nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar.

Pjesëtarët e komunitetit serb gjerësisht bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.

Kurti tha se qytetarët serbë janë intimiduar nga Beogradi zyrtar për të mos dalë në votime, por theksoi se Qeveria e Kosovës synon t'i funksionalizojë institucionet dhe punën në këto komuna, në mënyrë që të garantohen shërbimet publike për të gjithë qytetarët.

Zgjedhjet për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës janë mbajtur më 23 prill, pasi Lista Serbe u largua nga institucionet e Kosovës në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve që bartnin targa ilegale të lëshuara nga Serbia, në targat legale RKS – Republika e Kosovës.

/rtsh.al/