RTSH 24 Live

Kosovë

Kurti i përgjigjet ambasadorit Hill: Askush s’duhet të ndihet i turpëruar apo fajtor për bombardimet e NATO-s në vitin 1999

24/03/2023

Kurti i përgjigjet ambasadorit Hill: Askush s’duhet të ndihet i turpëruar apo fajtor për bombardimet e NATO-s në vitin 1999

Në pritjen për nder të 24-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Albin Kurti ka deklaruar se “askush nuk duhet të ndihet i turpshëm apo fajtor në mesin e trupit diplomatik, qofshin amerikan apo evropian apo tjetër, as në Prishtinë e as në Beograd. Vuajtja njerëzore e Kosovës është e vërteta historike e Serbisë”.

Kurti shprehu mirënjohje e falënderim ndaj çdo vendi anëtar të NATO-s për rolin dhe kontributin e tyre për çlirimin e Kosovës.

Kurti tha se “aleatët në qiell, aeroplanët miqësorë lart, ikja e trupave armike, kështu dukej shpresa e popullit atëherë, për përfundimin e luftës dhe ardhjen e lirisë dhe paqes”.

“24 vjet më parë në këtë ditë unë vetë u mbusha 24 vjeç, që është gjysma e jetës sime sot. E sa herë që në burg më pyesnin për datën e lindjes, përgjigja ime nuk ishte menjëherë e besueshme dhe supozohej se ishte një provokim. Prandaj, unë festoj në një mënyrë të dyfishtë që atëherë”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës i është përgjigjur me këtë rast edhe një deklarate të ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili në 24 vjetorin e sulmeve ajrore të NATO-s mbi ushtrinë dhe policinë shprehu ngushëllime për të gjitha familjet që kanë humbur të afërmit e tyre gjatë luftërave të viteve ’90, duke i përfshirë siç tha ai edhe ata që kanë humbur të afërmit e tyre si rrjedhojë e fushatës ajrore të NATO-s.

Kurti tha se “askush nuk duhet të ndihet i turpshëm apo fajtor në mesin e trupit diplomatik, qofshin amerikan apo evropian apo tjetër, as në Prishtinë e as në Beograd”.

 “Vuajtja njerëzore e Kosovës është e vërteta historike e Serbisë. 24 marsi është një ditë e madhe, çdo vit, andaj, të gjithëve dhe për të gjithë: Gëzuar dhe kënaquni!”, ka thënë Kurti.

/rtsh.al/