RTSH 24 Live

Kosova

Kurti dhe Vuçiq do të takohen të hënën në Bruksel në përpjekje për të zgjidhur krizën e hapur

20/11/2022

Kurti dhe Vuçiq do të takohen të hënën në Bruksel në përpjekje për të zgjidhur krizën e hapur

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të takohen të hënën në Bruksel në përpjekje për të zbutur tensionet dhe për të arritur një marrëveshje pas krizës mbi pretendimet e minoritetit serb të Kosovës.

“Takimi i nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë do të mbahet në Bruksel të hënën, më 21 nëntor”, ka bërë të ditur zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Përbashkët të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Vetë Borrell do të jetë i pranishëm si ndërmjetës, i mbështetur nga përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajcák. Vuçiq dhe Kurti kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, sipas Brukselit.

Lajcák do të zhvillojë takime të veçanta me secilin prej liderëve duke filluar nga ora 08:00, e ndjekur nga një takim i përbashkët.

“Qëllimi është të gjendet një mënyrë për të kapërcyer krizën aktuale dhe për të shmangur përshkallëzimin dhe tensionet e mëtejshme me vëmendje të veçantë për targat dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucione”, shpjegohet në deklaratën e BE-së. Pas takimit është planifikuar një dalje për shtyp nga Borrell.

Më 21 nëntor është afati i fundit i dhënë nga autoritetet kosovare për të filluar gjobimin e atyre që nuk respektojnë rregullin e diskutueshëm për vendosjen e targave kosovare ndaj komuniteteve serbe. “Ne nuk mund ta arrijmë këtë datë pa një marrëveshje ose do të jemi në prag të një situate të rrezikshme”, paralajmëroi përfaqësuesi i lartë vetëm pak ditë më parë.

Diplomacia evropiane i kërkon Prishtinës që të tregojë fleksibilitet dhe gjithëpërfshirje me rregullin dhe të angazhohet për krijimin e një komuniteti të komunave serbe të Kosovës, të rënë dakord në Dialogun e Brukselit, ndërsa Beogradit i kërkon kthimin e serbëve të Kosovës në institucione pas dorëheqjes së tyre bllok nga postet e deputetëve, kryetarë bashkie dhe zyrtarë në të gjitha fushat, përfshirë edhe atë të Policisë.