RTSH 24 Live

Kronika

Kukës, ushtrim i paligjshëm i lojërave të fatit, procedohen penalisht 7 shtetas

17/10/2021

Kukës, ushtrim i paligjshëm i lojërave të fatit, procedohen penalisht 7 shtetas

Finalizohet operacioni policor i koduar “Vila”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe të ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit, ku u bë arrestimi i 7 shtetasve në Kukës.

“Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në bashkëpunim me RENEA-n, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, organizuan dhe finalizuan operacionoin policor të koduar “Vila”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi B. S., 35 vjeç, me precedent penal të mëparshëm në fushën e narkotikëve, i dyshuar si organizator i shpërndarjes së drogave të forta dhe ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit F. E., 34 vjeç, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve, i dyshuar për ushtrim pa licencë të lojërave të fatit, përshtatje të lokalit për përdorim droge dhe prodhim e shitje të narkotikëve. Gjithashtu u proceduan penalisht për moskallëzim krimi, edhe 7 shtetas të tjerë, të cilët u gjetën duke luajtur lojëra fati në lokalin e  marrë me qira nga shtetasi i shpallur në kërkim F. E., i cili e kishte përshtatur lokalin për shpërndarje të drogave të forta dhe ushtrim të paligjshëm të lojërave të fatit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Policia informon se, si rezultat i aksionit policor është arrestuar në flagrancë një nga organizatorët, si dhe është shpallur në kërkim shtetasi që kishte vënë në dispozicion lokalin e marrë me qira, për ta përdorur për lojëra fati, shpërndarje e përdorim të drogave të forta, si dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 7 shtetas, për moskallëzim krimi.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.