RTSH 24 Live

Botë

Kubë, Kastro largohet nga kreu i partisë

17/04/2021

Kubë, Kastro largohet nga kreu i partisë

Raul Castro konfirmoi të shtunën dorëheqjen nga pozita  si kreu i Partisë Komuniste të Kubës. 
Ky shtet nuk do të ketë më udhëheqës nga familja Castro në mesin e liderëve kryesorë, për herë të parë prej kur vëllai i tij, Fidel Castro, kanë qenë në pushtet që nga revolucioni i vitit 1959.
89 – vjeçari e ka bërë këtë njoftim gjatë një fjalimi në ditën e parë të kongresit të tetë të Partisë Komuniste.
Ai tha se  misioni i tij kishte përfunduar tashmë ndaj do t’ia dorëzonte pushtetin një brezi të ri që është “plot pasion dhe frymë anti-imperialiste”.
Megjithëse Castro nuk e emëroi pasardhësin e tij gjatë fjalimit, pritet që një votim i mëvonshëm të ratifikojë Presidentin Miguel Díaz-Canel si sekretarin e ardhshëm të përgjithshëm të partisë.
Fidel Castro ka drejtuar Revolucionin e vitit 1959, duke larguar nga pushteti Fulgencio Batistan.
Ai është bërë kryetar i Partisë Komuniste të Kubës më 1965, dhe ka udhëhequr shtetin derisa ia ka dorëzuar presidencën Raulit më 2008.
Kuba është një nga vendet e fundit komuniste në botë, dhe po përballet me sfida të shumta. Ekonomia e saj u tkurr me 11 përqind në vitin 2020 për shkak të pandemisë dhe është duke u ndeshur me sanksione të shtrënguara të SHBA dhe një rënie të ndihmës nga aleati i saj, Venezuela.
Vendi po merret gjithashtu me rastet e shumta të Covid-19. Bllokimet dhe masat e rrepta kanë mbajtur numrin e rasteve dhe vdekjeve nën kontroll.