RTSH 24 Live

Kosova

Kryeministrja serbe vizitë në veri të Kosovës, Kurti paralajmëron: Mos bëj deklarata përçarëse

04/09/2022

Kryeministrja serbe vizitë në veri të Kosovës, Kurti paralajmëron: Mos bëj deklarata përçarëse

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç do të zhvillojë më 5 shtator një vizitë një ditore në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Kjo vizitë është komentuar edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka paralajmëruar që ajo të mos bëjë deklarata përçarëse që kanë qëllim tensionimin dhe destabilizimin e situatës në veri.

Duke iu referuar deklaratave të kryenegociatorit serb në dialog, Petar Petkoviç, Kurti tha se Brnabiç nuk duhet të ndjek të njëjtin shembull, por të përqendrohet te jeta më e mirë e qytetarëve.

“Pres që zonja Brnabiç të mos e vazhdojë avazin e kryenegociatorit nga Beogradi, i cili jepte deklarata përçarëse, ndarëse që kishin për qëllim tensionimin dhe destabilizimin. Kemi nevojë të përqendrohemi te jeta më e mirë e qytetarëve. Unë besoj që Qeveria e Republikës së Kosovës me mua si kryeministër për këtë më pak se një vit e gjysmë ka bërë më shumë sesa çdo qeveri paraprake edhe sa i përket punësimit të personave nga komunitetet pakicë apo jo shumicë, por këtu e kemi një vështirësi, sepse punësimi ka shkuar shpesh sipas partive politike, jo sipas përkatësisë nacionale”, tha Kurti.

Prej 1 shtatorit serbët dhe shqiptarët e Kosovës lëvizin vetëm me ID në Serbi dhe Kosovës, ndërsa ka hyrë në fuqi edhe reciprociteti i targave serbe, ku Kurti u bëri apel serbëve që të bënin konvertimin e targave ilegale në ato të Kosovës.

/rtsh.al/