RTSH 24 Live

Politikë

Kryeministri Rama takon sekretarin e Shtetit, Blinken: Krenari për Shqipërinë që të jetë krah SHBA-ve, përherë

13/06/2021

Kryeministri Rama takon sekretarin e Shtetit, Blinken: Krenari për Shqipërinë që të jetë krah SHBA-ve, përherë

Kryeministri Edi Rama, është takuar këtë të diel në Bruksel me Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken. Takimi me zotin Blinken u mbyll me nënshkrimin e marrëveshjes për koordinimin e teknologjisë 5G mes SHBA dhe Shqipërisë. Zoti Rama tha se duhen bërë përpjekje që kjo nismë të përqafohet edhe nga vendet e tjera të Rajonit. Kryeministri thekson se Shqipëria do jetë gjithnjë krah SHBA, ndërsa e cilësoi si krenari partneritetin mes dy vendeve.

“Për mua dhe për ne në Shqipëri, është moment i rëndësishëm. Kemi ndërmarrë këtë nismë nga ana jonë, prej disa vitesh duke i kërkuar dhe të tjerëve, vendeve në Rajon, që të bëhen pjesë dhe që të gjithë së bashku të bëjmë përpjekje për një korridor të sigurt komunikimi. Ta vëmë këtë korridor shërbimesh kritike në duart e institucioneve shqiptare dhe të mos lejojmë që të komprometohet nga aktorë të tretë, që ndonjëherë janë aktorë dashakeq. Është krenari për Shqipërinë që të jetë krah jush dhe SHBA-ve, përherë. Faleminderit shumë për këtë dhe shpresoj që së bashku do i bindim miqtë të tjerë në Rajon për t'u bërë pjesë e kësaj”, theksoi Rama.

Sekretari Blinken tha se Rama "po vendos një shembull të mirë", ndërsa tha se është mirënjohës që Shqipëria është partnere dhe aleate e SHBA.