RTSH 24 Live

Aktualitet

Kryeministri Rama: Ja pse nuk po negociojmë për vaksinën kineze dhe ruse

22/02/2021

Kryeministri Rama: Ja pse nuk po negociojmë për vaksinën kineze dhe ruse

Kryeministri Edi Rama, ka reaguar sërish mbi debatin nëse Shqipëria duhet të marrë apo jo vaksinat ruse dhe kineze. Nga Rinasi, ku po priste dozat e radhës të vaksinave të Pfizer, zoti Rama tha se “vaksinat kineze dhe ruse nuk janë të lehta për t'u siguruar, pasi nuk gjenden në tezga”. Kryeministri u shpreh se vendit tonë nuk i janë vënë në dispozicion vaksinat ruse dhe kineze dhe se qeveria nuk ka nisur negociata, pasi nuk ka indicie pozitive se këto vaksina mund të sigurohen lehtë.

"Askush të mos mendojë se vaksina kineze dhe ruse gjenden në tezga që shkon, i përgatit dhe i merr. Edhe një shtet që e ka lidhur në parim marrëveshjen nuk ka marrë asgjë. Sasitë për ato vaksina janë të kufizuara. Mbase është keqkuptuar ajo që unë kam thënë. Ne nuk kemi asnjë mundësi që të vëmë në diskutim integritetin dhe profesionalizimin e shkencëtarëve kinezë dhe rusë. Nga pikëpamja e vlerës nuk kemi asnjë dyshim dhe asnjë kontestim. Por nga njëra anë janë të paaprovuara në nivelin e OBSH, por nuk po i rrime larg për këtë, por ne nuk mendojmë se duke qenë të linjëzuar krejtësisht me BE kemi ndonjë prioritet në radhën shumë të gjatë në ato vaksina. Nuk është çështje gjeopolitike në sensin banal të fjalës, por është një luftë politike në gjithë planetin. Nuk i kemi në dispozicion që t'i refuzojmë këto vaksina. Nuk kemi hedhur hapa formal në drejtim të Kinës dhe Rusisë, pasi nuk kemi indicie pozitive. Kjo nuk është çështje parash.", tha Rama.