RTSH 24 Live

Politikë

Kryeministri Rama: BE ka nevojë për Ballkanin, po aq sa ka nevojë Ballkani për BE-në

25/06/2022

Kryeministri Rama: BE ka nevojë për Ballkanin, po aq sa ka nevojë Ballkani për BE-në
Kryeministri, Edi Rama

Kryeministri Edi Rama po merr sot pjesë në “EUROPA- Forum Wachau” që mbahet në Götweig në rajonin Krems (Austri). Ai ka folur në panelin me temë “Ruajtja e së ardhmes së Evropës dhe zgjerimi i BE”. Zoti Rama ka komentuar në fjalën e tij edhe samitin e BE në Bruksel.

"Ky më duket vendi i përsosur për të diskutuar Evropën dhe Ballkanin Perëndimore. Në këtë lloj kryqëzimi, disa prej shkallëve shkojnë lart, disa poshtë dhe ne jemi në mes. Ne mund ta ngremë njëri- tjetrin dhe po kështu mund ta ulim poshtë. Disa njerëz e kuptojnë vërtetë mirë, të tjerë kanë nevojë për më shumë shtysë që ta kuptojnë. BE ka nevojë për Ballkanin, po aq sa ka nevojë Ballkani për BE-në. Nuk është ide e mirë të ftosh dikë dhe nga Ballkani dhe ta lësh të ulet se mund të kërkojë vërtetë shumë kohë që të dëgjosh fjalën e tij. Urime të gjithë atyre që patën idenë që të qëndroj në këmbë në mënyrë që trupi im të ndal vrullin tim. Nuk ka vend më të mirë se Austria për të marrë veten nga mbledhjet depresive të Brukselit. Nuk falënderoj dot sa duhet kancelarin për mikpritjen e shkëlqyer, njësoj siç ulet krah meje në Këshill, pasi Shqipëria dhe Austria nisin me A, është më tepër se rastësi se kam krah meje udhëheqësin e një vendi që ka qenë mbështetës i Ballkanit dhe Shqipërisë. Pas këtyre fjalëve të bukur duhet të bëhem i hidhur se duhet të flas për BE. Më duhet ët them, se ndihem i keqardhur për BE, ndihem vërtetë i keqardhur", tha Rama. 

Zoti Rama, në vijim të fjalës së tij, u shpreh se është shumë i lumtur që Ukraina ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE, por thekson se shpreson që ukrainasit të mos kenë shumë iluzione, pasi Maqedonia e Veriut ka 17 vite që pret. Sipas tij, statusi kandidat për BE është si një ilaç depresioni, i mirë për moralin dhe hormonet.

 “Jemi shumë të lumtur që Ukraina mori statusin e vendit kandidat. Shpresoj të mos kenë shumë iluzione, morën një ilaç kundër depresionit që është mirë për moralin dhe hormonet për njëfarë kohë. Më tej, ju duhet të përballen me realitetin të cilin përballet Maqedonia. Shpresoj që ukrainasit të marrin në konsideratë e të hedhin sytë nga Maqedonia, 17 vjet candidate. Mënyra më e çuditshme për të qenë kandidat. Ky status kandidat është shpikur për këtë gjë që të bëjë të ndihesh që je kandidat, por të lenë në pritje për të folur. Ata ndryshuan edhe emrin. Shqipëria ka 8 vite që pret. Është një udhëtim që duhet ët japësh rezultate, të reformohesh”, tha Rama.

Kryeministri Rama ka komentuar edhe vendimin e parlamentit bullgar për të pranuar propozimin francez për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut. Nga Austria, zoti Rama thotë se nuk lidhet çdo gjë vetëm me Bullgarinë, por me diçka më të thellë.

"Dje, parlamenti bullgar, votoi për diçka, por dua të theksoj se kjo nuk lidhet vetëm me Bullgarinë. Bullgaria është shprehja finale e frymës së deformuar të zgjerimit. Ka dicka më të thellë që është humbur dhe duhet rikuperuar shpejt. Të gjithë dëgjojmë që Putin është shumë i sëmurë. Mund të jetë ose jo e vërtetë, por nuk duket sikur BE është shumë e shëndetshme dhe se hapësira jonë është e mbrojtur mirë nga ajo çka mund të vijë. Dëgjova një prej miqve francezë që përsëriste se Putin ka bërë të kundërtën e asaj cka kërkonte, duke përbashkuar Evropën, duke sjellë bashkë NATO-n, por është shumë herët për tu thënë se nuk duket sikur dimri i ardhshëm do të jetë i lehtë dhe nuk duhet të marrim të mirëqenë cakun e durimit të opinionit publik që as nuk ekziston në Rusi. Problemi është se sa më shumë njerëzit kanë, aq më pak janë të prirur që të heqin dorë qoftë nga një gjë e vogël. T'i thuash të pasurve që na duhet të durojmë inflacionin e lartë sepse një gjë shumë më e rëndësishme është në lojë, është më e lehtë ta thuash se ta bësh. Por ç'mund të them nga ana tjetër? Në cepin tonë të botës, BE është realiteti i vetëm gjeografik në historinë e hartave që ka dy kufij, një të brendshëm e një të jashtëm dhe është kjo copëz bote që quhet Ballkan. Besoj se Austria është ndër të paktat që ka ide të qartë, pavarësisht çështjeve të brendshme dhe kurrë nuk e ka tradhtuar", tha Rama.

/rtsh.al/